Policia Kombëtare në Spanjë ka arrestuar një organizatë kriminale që merrej me kultivimin e marijuanës në provincën e Alicante dhe që më pas shpërndahej në të gjithë Europën.

 

Operacioni i policisë ka kulmuar me shpërbërjen e plotë të organizatës ku u arrestuan 13 anëtarë të kësaj bande, 10 burra dhe 3 gra, 12 me kombësi shqiptare dhe 1 spanjolle.

 

Hetimi policor nisi si rezultat i informacioneve të ndryshme që grupi hetimor trajtonte për ekzistencën e një grupi kriminal. Po ashtu është marrë informacion dhe nga një prej kompanive të shpërndarjes së energjisë elektrike që bashkëpunon ngushtë me Forcat dhe Organet e Sigurisë së Shtetit për zbulimin e mashtrimeve në furnizimin me energji elektrike.

 

Në kontrollet e kryera u sekuestruan 1490 bimë narkotike, 350 gramë sytha marihuane, 7000 euro cash, tre automjete të përdorura nga të arrestuarit për transportin e drogës, mes të cilëve një kamion i vogël, një jet ski dhe mjete të shumta për kultivimin dhe trajtimin e këtyre lëndëve narkotike. Ndërkohë, moshat e të arrestuarve janë nga 18 deri në 51 vjeç. Tashmë të arrestuarit ndodhen në paraburgim, në pritje të masës së sigurisë.