Eksportuesit shqiptarë humbën 225 milionë euro vitin e kaluar nga nënçmimi me 6.6 lekë i Euros në kursin e këmbimit. Po të mos kishin pasur këtë humbje, fabrikat shqiptare mund të kishin rinovuar teknologjinë, për të çuar prodhimin drejt një cikli të ri. Nënçmimi i qëndrueshëm i Euros ndaj Lekut po shndërrohet në një sfidë serioze për eksportet, të cilat janë nën presionin e rritjes së kostove nga paga minimale, lëndëve të parave dhe problematikat e mungesës së punonjësve. Volumi i eksporteve nisi rënien që vitin e kaluar dhe ka vijuar edhe në dymujorin e parë 2023. Fabrikat, pesimiste: Ka nisur largimi i klientëve. Nga ana tjetër, importuesit përballen me fitime të larta nga rënia e Euros. Edhe pse çmimet e ushqimeve në tregjet ndërkombëtare janë ulur, këto zhvillime nuk po reflektohen në tregjet e pakicës.

 

Kompania INCA, e cila eksporton kryesisht produkte ushqimore të përpunuara, është duke humbur sistematikisht për çdo faturë eksporti gati 3% të vlerës së saj. “Nga momenti që dorëzojmë mallin deri në kohën e pagesës së faturës kemi një humbje në vlerë mbi 3%, vetëm nga nënçmimi i Euros ndaj Lekut”, – tha Alban Zusi, zotëruesi i kompanisë.

Nënçmimi i qëndrueshëm i Euros ndaj Lekut po shndërrohet në një sfidë serioze për eksportuesit shqiptarë, të cilët në këto kohë janë në presionin e madh të rritjes së kostove nga paga minimale, lëndët e parave dhe problematikat e mungesës së punonjësve.

 

Në anën tjetër, importuesit po fitojnë pa u lodhur aspak vetëm nga ndryshimet në kursin e këmbimit. Logjika ekonomike imponon se fitimet nga kursi duhet të përkthehen në çmime më të lira në tregjet e brendshme. Historia e këtyre 30 viteve tranzicion ka dëshmuar se tregu shqiptar është jo elastik sa i përket përçimit të kursit të këmbimit në krahun uljes të çmimeve.

 

Çmimet në artikujt me pakicë po qëndrojnë të larta, me ulje të matshme vetëm për disa produkte ushqimore se vaji dhe mielli, kurse për të tjerat janë njëlloj. Inflacioni në shkurt të këtij viti u rrit me 7.1%, në një kohë që çmimet në tregjet ndërkombëtare dhe kursi i këmbimit kanë qenë favorizues.

 

Importuesit e mëdhenj pohojnë se kursi i këmbimit ka qenë favorizues, por rritja e pagave dhe kostove të aktivitetit në përgjithësi kanë gërryer fitimet nga kursi i këmbimit. Në janar të këtij viti, importet e mallrave arritën vlerën 58,1 miliardë lekë, prej të cilave 49% u blenë në euro, sipas të dhënave zyrtare nga Doganat.

 

Kursi zyrtar që përdorën doganat 6.5% më i lirë se në janarin e vitit 2022. Vetëm nga nënçmimi i Euros në një muaj importuesit fituan 1,8 miliardë lekë, ose rreth 16 milionë euro.Burimet nga kompania “Teuta”, një nga më të mëdhatë në importin e ushqimeve, shpjeguan se nga muaji në muaj, luhatjet e kursit krijojnë herë humbje, herë fitime.

 

Mirëpo rritja e pagës minimale dhe shtrenjtimi i çmimeve në tregjet ndërkombëtare për ushqimet nuk lejon që fitimet në kurs të përcillen në tregjet e pakicës. Teksa eksportuesit po përballen me humbje të papritura, për shkak të kursit të këmbimit, duhej që së paku të kishin përfituar konsumatorët, por as kjo nuk po ndodh. Çmimet e ushqimeve në vend, që nga koha e krizës, janë rritur me ritme dy herë më të larta se inflacioni.

Kursi rrënoi eksportuesit, 225 milionë euro humbje më 2022

 

Gjatë 8 viteve të fundit, nënçmimi sistematik i Euros ndaj Lekut ka çuar në rënie të qëndrueshme në të ardhurat e eksportuesve. Vitin e kaluar, vlera totale e eksporteve, sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT, arriti në 486 miliardë lekë, 80% e të cilave (389 miliardë lekë) u ishin në euro. Në janar të vitit 2022, kursi mesatar i këmbimit të Bankës së Shqipërisë ishte 121.5 lekë, ndërsa në dhjetor, 114.9 lekë.

 

Në harkun kohor të një viti, euro u këmbye me 6.6 lekë më pak, duke krijuar humbje të pastër 25.7 miliardë lekë, ose 225 milionë euro. Eksportuesit shqiptarë punojnë me norma të ulëta fitimi, për shkak se mallrat që prodhohen në Shqipëri janë produkte gjysmë të gatshme kryesisht nga industria fason. Humbjet që po vijnë nga kursi i këmbimit po gërryejnë fitimet, të cilat do të mund të investoheshin në përmirësimin teknologjik të kompanive.

 

Fabrikat shqiptare, në mungesë të krahut të punës, duhet të investojnë në novacion, në mënyrë që ulin varësinë nga burimet njerëzore dhe të mund të realizojnë produkte që shiten shtrenjtë në tregjet huaja. Me rreth 225 milionë eurot e humbura nga kursi i këmbimit, vetëm në një vit, mund të ishte rinovuar e gjithë teknologjia e sektorit fason dhe e industrive që lidhen me eksportin.

 

Nëse në vitin 2022, kursi i këmbimit të Euros do të ishte 140 lekë, si në vitin 2016, të ardhurat e eksportuesve do të ishin 650 milionë euro më të larta. Vetëm për janarin 2023 llogariten 20,1 miliardë lekë, ose rreth 19 milionë euro humbje. Eksportet shqiptare arritën vlerën 42 miliardë lekë në janar. Në janarin 2023, kursi i këmbimit ishte rreth 114 lekë, ndërsa në janar 2022, rreth 121 lekë.

 

Eksportuesit janë të shqetësuar se ekonomia shqiptare është duke u bërë gjithnjë e më shumë jokonkurruese për sektorin e prodhimit. Evdin Prençe, nga Shoqata Proeksport, që gjithashtu zotëron një fabrikë të prodhimit të këpucëve për eksport, tha se sektori fason humbi në total 2.5 milionë euro, vetëm në 10 ditë në muajin dhjetor 2022, kur kursi i këmbimit nga 116 ra në 113 lekë.

 

Humbjet e eksportuesve, për shkak të kursit të këmbimit, janë bërë të qëndrueshme, pasi rënia po vijon me ritme të larta nga viti në vit. Në pranverën e vitit 2016, 1 euro kushtonte rreth 140 lekë. Që nga ajo kohë, Euro është nënçmuar ndaj Lekut me 26 lekë, ose 18.5%. Po në këtë masë kanë rënë edhe të ardhurat e eksportuesve.

Humbjet nga kursi i këmbimit nuk transferohen në çmimet e eksportit

 

Ndryshe nga kostot e tjera të aktivitetit, eksportuesit nuk mund të transferojnë në çmimet finale humbjet që vijnë nga kursi i këmbimit, – tha Alban Zusi nga Shoqata e Eksportuesve. Kur negociohen çmimet, kontraktorët e huaj marrin në konsideratë kostot e lëndëve të para që janë rritur në të gjithë botën, kostot që vijnë nga paga minimale, por nuk pranojnë të përfshijnë në çmime humbjet nga kursi i këmbimit.

 

Pjesa më e madhe e eksportuesve shqiptarë punojnë me kontrata. Nga dorëzimi i mallrave deri te pagesa kalojnë zakonisht 4-6 muaj. Por në këtë periudhë po ndodh që euro të nënçmohet me 3-4 lekë. P.sh., nëse nga një faturë eksporti 10 mijë euro në janar 2022 përfitoheshin 1,215,000 lekë, në dhjetor, vetëm 1,149,000 lekë. Ndërkohë që planet financiare bëhen duke marrë në konsideratë një logjikë normale të kursit të këmbimit, mbiçmimi jashtë çdo parashikimi i Lekut po i tensionon prodhuesit.

 

Kursi i këmbimit ka krijuar disa efekte pozitive në pagesat e kredive në euro të eksportuesve mirëpo, të ardhurat që teprojnë nga ky proces tatohen sërish si fitime dhe në fund, kursi i këmbimit po krijon humbje./Monitor