28-vjeçarja e cila u dhunua nga partneri i saj duke e mbajtur për një javë të mbyllur dhe duke e rrahur, është rrëfyer ditën e sotme nga Spitali i Traumës, për makthin që ka përjetuar.

 

Ajo ka folur për News24 duke treguar detaje të tmerrshme nga dhuna e përjetuar prej një javë deri te denoncimi i bashkëjetuesit Gleard Gusholli, 31 vjeç.

 

“Glearti me ka dhunuar me këmbë karrigeje, me godiste me shkelma dhe grushte. Kam tentuar të hidhem nga i pestë nga dhuna”, ka thënë e reja.

 

Avokati mbrojtës i saj Enea Cenko ka kërkuar mbrojtje për klienten e tij. “Drejtësia të flasë për rastin, kërkojmë mbrojtje dhe siguri për jetën e vajzës”, ka deklaruar Cenko.

 

28-vjeçarja iu nënshtrua menjëherë ndërhyrjes kirurgjikale pas dhunës barbare të bashkëshortit.

 

31-vjeçari Gusholli mbajti të mbyllur dhe dhunoi barbarisht një javë me radhë bashkëjetuesen e tij 28 vjeçare. Ishte ndërhyrja e policisë ajo që parandaloi një tjetër viktimë të mundshme.Gjithashtu, në banesë hetuesit gjetën  edhe mjete që përdoren për konsumimin e lëndëve narkotike dhe mbetje të kokainës, çka ngre dyshime se në momentin e kryerjes së krimit, 31-vjeçari i cili nuk ka dhënë shpjegime për motivet ka qenë nën efektin e drogës.

 

Në pranga

 

Gleard Gusholli, 31 vjeç, bashkëjetuesi i vajzës se dhunuar

 

Besmir Nurçellari, 36 vjeç, nuk kallëzoi krimin dhe fshehu provat

 

Arjan Sheta, 41 vjeç, nuk kallëzoi krimin dhe fshehu provat

 

Bledi Kateshi, 27 vjeç, largoi Gushollin nga vendi i ngjarjes

 

Erlind Kateshi, 42 vjeç, largoi Gushollin nga vendi i ngjarjes