Kryetari i Partisë Socialiste të Tiranës, Erion Veliaj dhe deputeti i PS, Fatmir Xhafaj shpërndanë certifikata mirënjohjeje për socialistët me kontribut të veçantë ndër vite në njësinë 10 në kryeqytet.

 

Veliaj tha se vlerësimi dhe mirënjohja janë të rëndësishme në familjen e madhe socialiste, sidomos ndaj atyre që kanë sakrifikuar për të ardhur deri në ditët e sotme.

 

“Partia Socialiste ka fituar 8 nga 9 betejat e fundit, një rekord që nuk e ka asnjë parti tjetër në rajonin tonë apo në Europë. Ne jemi e vetmja parti që mirënjohjen e kemi në statutin e partisë, ku mirënjohja, respekti e vlerësimi publik për të gjithë ata njerëz që kanë dhënë një kontribut në këto fitore po materializohet, dhe sot fillojmë një traditë që dua ta vazhdoj në të gjitha njësitë. Ju jam vërtet mirënjohës për kontributin”, u shpreh Veliaj.

 

Nga ana tjetër, ai tha se është bërë aq e modës të jesh i majtë se edhe kandidatët për zgjedhjet lokale të 14 majit janë pothuajse të gjithë të majtë.

 

“E keni vënë re, në këtë fushatë, pothuajse të gjithë kandidatët janë të majtë? Kemi kandidatë nga Partia Socialiste, kemi një nga Partia Komuniste, kemi një nga një lëvizje marksiste, kemi një që hiqet sikur është me Saliun, por është regjistruar me LSI. Pra, këtu të gjithë kandidatët, formalisht janë të majtë. Kjo është një ditë e mirë për të majtën, kur edhe kundërshtarët tanë më të paepur regjistrohen si të majtë. E kishit menduar se një ditë, edhe Flamur Noka do regjistrohej si anëtar i Partisë Komuniste vetëm për të futur një kandidat në Tiranë?!”, u shpreh Veliaj.

 

Veilaj shtoi se ata e dinë që nuk fitojnë, ndërsa, deputeti i PS, Xhafaj tha se vlerësimin dhe mirënjohjen Partia Socialiste e ka edhe në statut.

 

“Ky është eventi i parë që organizohet për t’u shprehur mirënjohjen përmes një certifikate të nënshkruar nga kryetari i Partisë Socialiste të Tiranës, Erion Veliaj. Unë dua ta falenderoj shumë Erionin që mori këtë nismë, që e jetësoi këtë normë statutore, që po e shpreh përmes këtij vlerësimi, përmes kësaj certifikate nderimin, respektin për kontributin tuaj, por edhe ju për kontributin që keni dhënë, për mbështetjen që vazhdoni t’i jepni Partisë Socialiste, për atë çfarë i keni dhënë nga jeta juaj Partisë Socialiste, atë çfarë vazhdoni t’i jepni me aq dëshirë, me aq pasion çdo ditë Partisë Socialiste,” tha deputeti socialist