Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergej Lavrov, në kuadër të turneut të tij në Amerikën Latine zhvilloi një vizitë zyrtare në Brazil.
Lavrov u prit nga homologu i tij, ministri i Jashtëm brazilian, Mauro Vieira, në hyrje të Pallatit Itamaraty.
Në konferencën e përbashkët për media, Vieira tha se u bisedua për tregtinë, energjinë, mbrojtjen, kulturën, arsimin, shkencën, industrinë dhe investimet si dhe për marrëdhëniet tregtare midis dy vendeve.
Duke u shprehur se janë në favor të zgjidhjes paqësore të konfliktit midis Rusisë dhe Ukrainës, Veira tha se duhet të vendoset një armëpushim sa më shpejt në kuadrin e respektimit të ligjit për të drejtat e njeriut.
Duke theksuar se sanksionet e njëanshme kundër Rusisë ndikojnë negativisht në ekonominë e vendeve në zhvillim, Veira tha se Brazili është i gatshëm të bëjë pjesën e tij për të zgjidhur këtë problem.
"Ne i jemi mirënjohës palës braziliane për kontributin e tyre në zgjidhje"
Lavrov ka theksuar se Moska dëshiron të zgjidhë konfliktin në Ukrainë sa më shpejt të jetë e mundur.
"Ne kemi shpjeguar në mënyrë të përsëritur në detaje arsyet e asaj që ndodhi dhe çfarë synimesh po ndjekim në këtë drejtim", tha Lavrov.
Duke thënë se Brazili e kupton mirë rrënjën e problemit në Ukrainë, Lavrov theksoi: "Ne i jemi mirënjohës palës braziliane për kontributin e tyre në zgjidhje".
Duke ftuar homologun e tij Veira në Rusi, Lavrov deklaroi se negociatat ishin jashtëzakonisht të dobishme dhe se u konfirmua vullneti i mirë i ndërsjellë në forcimin e partneritetit strategjik midis dy vendeve.
Lavrov pritet të takohet edhe me presidentin e Brazilit, Luiz Inácio Lula da Silva.
Në deklaratën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, bëhet e ditur se Lavrov do të zhvillojë një vizitë zyrtare në vendet e Amerikës Latine, përfshirë Brazilin, Venezuelën, Nikaraguan dhe Kubën./AA