Është mbledhur pasditen e sotme Kryesia e Partisë Demokratike. Fjalën hyrëse e mbajti kreu i PD, Sali Berisha, i cili tha se kjo mbledhje po zhvillohet teksa Shqipëria ndodhet në qendër të një cikloni të fuqishëm mediatik botëror, duke iu referuar lajmeve në mediat ndërkombëtare për çështjen e ish-zyrtarit të FBI “McGonigal”, që është hetuar nga drejtësia në SHBA edhe për lidhjet tij me Shqipërinë.

 

Teksa akuzoi Ramën se ka paguar Charles McGonigal për të dëmtuar opozitën, Berisha tha se ky veprim është i barabartë me një grusht shteti/

 

“Mblidhemi sot në një moment, të pashembullt, të jashtëzakonshëm, mblidhemi në një kohë kur për shkak të akteve mirëfilltas, antishqiptare, antidemokratike, antikombëtare të Edi Ramës, Shqipëria ndodhet në qendër të një cikloni të fuqishëm mediatik botëror, në qendër të një akti që tejkalon çdo lloj imagjinate.

 

Kur një vend që i detyrohet më shumë se një vend tjetër SHBA-së, Shqipëria, kur një vend anëtar i NATO, merr përsipër, i korrupton, vendit udhëheqës të Aleancës së Atlantikut të Veriut, vendit udhëheqës të sigurisë dhe paqes në botë, SHBA-së, një nga njerëzit më kryesorë të fushës së sigurisë, dhe këtë e bën, ky njeri është Edi Rama.

 

Të marrësh përsipër një akt të tillë, të shndërrosh në aset me korrupsion një njeri që kurrë nuk e meritonte atë detyrë, por që kishte një pozicion të jashtëzakonshëm për nga rëndësia në sigurinë e SHBA-së dhe të vendeve të lira, do të thotë kryen një akt armiqësor të përmasave, tejkalon çdo lloj limiti, linje.

 

Vizitat private në Shqipëri, duke qenë në detyrë, takimet e tij të fshehta të Charles McGonigal me Edi Ramën, angazhimi i tij me pagesë për të sharruar shtyllën kryesore të rendit demokratik, që është pluralizmi politik, për të shkatërruar opozitën për hir të pushtetit të Edi Ramës, është një krim i përmasave makabër.

 

Është një veprim i barabartë, me një grusht shteti, kur puçistët vendosin të shuajnë pluralizmin.

 

Është një veprim i cili përveç aktit që bën ndaj vendit mik, përdor për të instaluar monizmin dhe fake opozitën në Shqipëri”-tha Berisha.