Kuvendi vendosi shtyrjen për në seancën e radhës të votimit për raportin vjetor të Këshillit Kombëtar për Integrimin Evropian për vitin 2022 dhe projektvendimit “Për zgjedhjen e një anëtari të Komisionit të Konkurrencës”.
Propozimi për shtyrjen e hedhjes në votim të këtyre dy pikave të parashikuara në rendin e ditës erdhi nga kryetari i grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla.
Balla propozoi miratimin në seancën e radhës, me qëllim dhe përfshirjen e opozitës në votim.
“Duke qenë se votimi për zgjedhjen e një anëtari të Autoritetit të Konkurrencës kërkon shumicën votash, si dhe duke qenë se raporti i Këshillit Kombëtar të Integrimit vjen nga një institucion që bën bashkë mazhorancën dhe opozitën do të propozoja të shtyhet në seancën pasardhëse, duke shpresuar që edhe deputetët e opozitës do të jenë në Kuvend”, tha ai.
Ndërsa projektvendimi “Për zgjatjen e afatit të veprimtarisë së Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Realizimin e Reformës zgjedhore” u miratua me 63 vota pro dhe 1 kundër.
Në nisje të seancës u zhvillua dhe një interpelancë me pyetje e thirrur nga deputeti Zef Hila me ministren e Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale, Ogerta Manastirliu nga deputeti Zef Hila.
Me 63 vota pro dhe 1 kundër, Kuvendi miratoi edhe projektligjin “Për përfundimin e procesit të privatizimit të objekteve të ish – ndërmarrjeve bujqësore”.
Projektvendimi “Për një ndryshim në vendimin nr. 69/2021 “Për caktimin e anëtarësisë së komisioneve të përhershme të Kuvendit” u miratua me 64 vota pro.