Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, urdhëroi të bëhen përgatitjet për lançimin e satelitit të parë vendas për spiunim ushtarak.

 

Mediat shtetërore njoftuan se Kim urdhëroi që përgatitjet të bëheshin siç ishin planifikuar, pasi Pheniani përfundoi ndërtimin e satelitit të këtillë.

 

Gjatë një inspektimi në Administratën Kombëtare të Zhvillimit të Hapësirës Ajrore së Koresë së Veriut, Kim tha se shpreson të lançojë satelitin deri në fund të prillit.

 

"Ai vendosi detyrën ushtarake për të organizuar një komitet përgatitor të përkohshëm për lançimin e satelitit për t'u siguruar që sateliti i zbulimit ushtarak nr. 1 i përfunduar në prill, do të lançohet në datën e planifikuar", tha Agjencia Qendrore Koreane e Lajmeve.

 

Kim urdhëroi gjithashtu që të përshpejtohen përgatitjet përfundimtare për lançimin e satelitit dhe të krijohet aftësia e mbledhjes së inteligjencës satelitore duke vendosur disa satelitë zbulues në orbita të ndryshme në të ardhmen.

 

Udhëheqësi i Koresë së Veriut kritikoi përsëri stërvitjet e përbashkëta ushtarake të SHBA-së dhe Koresë së Jugut dhe tha se Washingtoni e shndërron Seulin në një bazë të avancuar për "agresion dhe një arsenal për luftë".

 

"Posedimi i një sateliti të tillë është një detyrë parësore që duhet përmbushur në mënyrë të domosdoshme", citoi agjencia të thoshte Kim.

 

Tensionet në Gadishullin Korean mbeten të larta pas testeve të fundit raketore të Koresë së Veriut.

 

Të shtunën, ushtria e Koresë së Jugut gjuajti të shtëna paralajmëruese për të zmbrapsur një anije patrulluese të Koresë së Veriut që kaloi përkohësisht kufirin e diskutueshëm të detit perëndimor të vendit ndërsa ndiqte një varkë kineze të peshkimit.

 

Zhvillimi përkoi me një stërvitje ushtarake trepalëshe që përfshin Korenë e Jugut, Japoninë dhe SHBA-në në ujërat ndërkombëtare të Detit të Japonisë (Detit Lindor).

 

Të hënën, Koreja e Jugut, SHBA dhe Japonia zhvilluan gjithashtu një stërvitje të mbrojtjes raketore në ujërat ndërkombëtare të Detit të Japonisë./AA