Inflacioni në Britaninë e Madhe u ngadalësua muajin e kaluar si pasojë e rënies së çmimeve të benzinës, por mbeti në shifra dyshifrore pasi buxhetet e familjeve vazhdojnë të jenë nën presion për shkak të rritjes së çmimeve.

 

Zyra për Statistikat Kombëtare (ONS) zbuloi se ”inflacioni i indeksit të çmimeve të konsumit (CPI) ra në 10,1% në mars nga 10,4% në muajin shkurt”.

 

Megjithatë, ai mbeti më i lartë se sa prisnin ekspertët pasi çmimet e ushqimeve dhe pijeve vazhduan të rriteshin.

 

Ekonomistët kishin parashikuar që inflacioni të ishte 9,8%.

 

Niveli i lartë i inflacionit vazhdon të mbajë presion mbi Bankën e Anglisë për normat e interesit, me inflacion ende shumë mbi normën e synuar prej 2%.

 

ONS zbuloi se çmimet e ushqimeve u rritën 19,1% nga viti në vit, rritja më e madhe që nga gushti i vitit 1977.

 

Çmimet e bukës, drithërave dhe frutave u rritën, ndërkohë që ndikimi i mungesës së perimeve vazhdoi të rëndojë në inflacion.

 

Ndërkohë, çmimet e veshjeve dhe këpucëve u rritën me 7,2% nga viti në vit, megjithëse kjo përfaqëson një ngadalësim të lehtë nga të dhënat e shkurtit.