Shqipëria ka arritur të monitorojë përmes dy satelitëve të hedhur në hapësirë, Albania 1 dhe Albania 2, 47 % të territorit, ose një sipërfaqe prej 13 416 km.

 

Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh ministre për Infrastrukturën dhe Energjinë, deklaroi sot se me futjen e shërbimeve satelitore, Shqipëria është duke përshpejtuar ritmin drejt përdorimit të teknologjive të avancuara si inteligjenca artificiale, machine learning dhe deep learning.

 

Sipas saj, objektivi kryesor i shërbimit satelitor është monitorimi i territorit dhe sigurimi dhe ofrimi i qasjes në të dhënat e ofruara nga satelitët.

 

“Shërbimi satelitor do t’i ofrojë qeverisë shqiptare autoritet të plotë menaxhimi mbi informacionin e përfituar nga shërbimi dhe qëllimi është sigurimi i të dhënave për trajtimin e nevojave të institucioneve përfituese”, tha Balluku.

 

Me lançimin e dy satelitëve shqiptarë, më 3 janar 2023 Shqipëria është bërë vendi i dytë në rajon, pas Sllovenisë i cili ka kostelacionin e saj të satelitëve në hapësirë.

 

“Me kostelacionin e dedikuar satelitor, Shqipëria bëhet pjesë e ekonomisë së re të hapësirës, duke zhvilluar përfshirjen e saj në komunitetin hapësinor, mes shfrytëzimit të fuqisë së imazheve satelitore me rezolucion të lartë, të cilat mundësojnë realizimin e ambicieve tona si vend anëtar i NATO-s”, theksoi më tej Balluku.

 

Përmes digjitalizimeve automatike është arritur që me anë të inteligjencës artificial dhe metodës deep learning, të merren shembuj të ndryshëm, me të cilët krijohen modelet dhe më pas aplikohen mbi imazhe të ndryshme për të arritur objektivin final.

 

“Nëpërmjet realizimit të këtij projekti, vendit do t’i mundësohet adresimi i çështjeve urgjente që përfshijnë menaxhimin e bujqësisë, kulturat e paligjshme, aktivitetin e ndërtimit të paligjshëm, monitorimin e përmbytjeve dhe zjarreve si dhe përllogaritjen e dëmeve nga këto forca madhore. Por gjithashtu do të bëhet edhe monitorimi mjedisor përmes imazheve me cilësi të lartë dhe kapacitet në të gjithë vendin”, u shpreh zv/kryeministrja.

 

Një ekip ekspertësh nga të gjitha institucionet kanë nisur prej kohësh trajnimin pranë SATELLOGIC për përdorimin e teknologjisë të avancuar për përpunimin dhe analizimin e imazheve satelitore.

 

Ekipi i trajnuar i ASIG po ndërton raste dhe shembuj që do të jenë në ndihmë të institucioneve publike për të analizuar dhe marrë vendime në kohë sa më të shkurtër.

 

SATELLOGIC ka mbështetur qeverinë dhe është përgjigjur edhe me shtesa të satelitëve të tjerë për shkak të kohës jo të mirë gjatë gjysmë së parë të këtij viti.

 

“Megjithatë kemi arritur të mbulojmë me imazheri 47 % të sipërfaqes së vendit, ose 13 416 km 2, nëpërmjet kapjes të 111 imazheve, të cilat kanë një gjerësi prej 5 km”, bëri të ditur Balluku.

 

Më pas, shtoi ajo, janë përpunuar në mënyrë rigoroze imazhet dhe pamjet, të cilat ofrohen me rezolucionin dhe performancën e kërkuar.

 

Ekipet po punojmë për përmirësimin e vazhdueshëm të modeleve me qëllim rritjen e përqindjes së saktësisë, ku deri tani, për disa modele, zv/kryeministrja Balluku informoi se është arritur një nivel saktësie rreth 80 %, që sipas saj, është nivel konsiderueshëm i lartë.

 

Zv/kryeministrja Balluku bëri të ditur se po punohet për ngritjen e rrjetit të ekspertëve në institucionet shtetërore për përdorimin final të produktit që vjen nga satelitët.

 

“Do të ngrihen grupe pune pranë çdo ministrie që do të jenë përdoruesit final të produktit që vijnë nga satelitët, duke bërë që në atë produkt që do marrim të ketë rezultate dhe eficencë për secilin sektor”, tha ajo.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.