Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural synon hapjen e hapjen e eksporteve të vezëve të klasit A, drejt tregut të BE-së.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj mori pjesë në takimin me 11 prodhues të shpendëve për prodhimin e vezëve dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Zhvillimit në Fushën e Sigurisë Ushqimore, ku diskutuan rezultatet shumë pozitive të auditit të detajuar nga ana e shërbimeve të Komisionit Evropian, që rezultuan në linjë dhe përputhje të plotë me kërkesat e BE-së.

Denaj tha se, sipërmarrja shqiptare në prodhimin e vezëve ka njohur një zgjerim të konsiderueshëm të investimeve cilësore dhe bashkëkohore duke punuar me standarde të larta të sigurisë ushqimore.

Ministrja vuri në dukje se, kërkesa e tyre për më shumë mbështetje me qëllim hapjen e eksporteve të vezëve të klasit A drejt tregut të BE-së vjen si një domosdoshmëri.

Në këtë takim u realizua plani i punës dhe bashkërendimi i veprimeve të mëtejshme për miratimin e “Programit Kombëtar të Kontrollit për Salmonelozën në pulat për vezë,” si garancia kryesore për hapjen e eksporteve të vezëve të klasit A, por njëherazi me rëndësi në shëndetin publik në përputhje me kërkesat e BE-së për përafrimet ligjore.

“Nëpërmjet politikave në nivel qendror do të arrihen të gjitha standardet sipas kërkesave të BE-së dhe arritja e këtij objektivi synon rritjen e të ardhurave në mënyrë të konsiderueshme për subjektet që ushtrojnë këtë aktivitet”, deklaroi Denaj./ata