Türkiye është në bisedime me palët ndërluftuese në Sudan për një armëpushim, tha sot ministri i Jashtëm turk, Mevlüt Çavuşoğlu.

 

“Të dyja palët në Sudan janë vëllezër tanë. Pse duhet të mbajmë anë këtu? Ne po negociojmë me të dyja palët, po negociojmë për të ndalur konfliktin”, tha Çavuşoğlu në një ngjarje në provincën Antalya të Türkiyes.

 

Çavuşoğlu tha se ai pret që sot të arrihet një armëpushim.

 

Ai tha se shumë vende, përfshirë ato në Evropë, kanë kërkuar ndihmë nga Türkiye për të evakuuar qytetarët e tyre nga Sudani.

 

Luftimet vazhduan në ditën e pestë midis ushtrisë sudaneze dhe luftëtarëve të formacionit paraushtarak Forcat e Mbështetjes së Shpejtë në kryeqytetin Khartum dhe zonat përreth, duke lënë të paktën 270 të vdekur dhe 2.600 të tjerë të plagosur, sipas Ministrisë së Shëndetësisë.

 

Ndërsa RSF-ja akuzoi ushtrinë se kishte sulmuar forcat e saj në jug të Khartumit me armë të lehta dhe të rënda, ushtria tha se forca paraushtarake po “përhap gënjeshtra” dhe e shpalli atë grup “rebel”.

 

Një mosmarrëveshje midis ushtrisë dhe RSF-së në lidhje me reformën e sigurisë ushtarake, e cila parashikon “pjesëmarrjen e plotë të RSF-së në ushtri”, shkaktoi rritje të tensioneve muajt e fundit.

 

Mosmarrëveshja midis dy palëve doli në sipërfaqe javën e kaluar, kur ushtria tha se veprimet e fundit nga RSF-ja kanë ndodhur pa koordinim dhe ishin të paligjshme.

 

Sudani ka qenë pa një qeveri funksionale që nga tetori i vitit 2021, kur ushtria shkarkoi qeverinë kalimtare të kryeministrit Abdalla Hamdok dhe shpalli gjendjen e jashtëzakonshme, hap ky i cilësuar nga forcat politike si “grusht shteti”.

 

Periudha e tranzicionit në Sudan, e cila filloi në gusht 2019, ishte planifikuar të përfundonte me zgjedhje në fillim të vitit 2024./AA