Qeveria miratoi sot rritjen e pagave për gjithë sistemin e punonjësve zjarrfikës, të Gardës dhe Policisë.

 

Kështu deklaroi pas mbledhjes së qeverisë në prononcimin për medie ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi.

 

Çuçi tha se, “kjo është faza e dytë e rritjes në rreth 8 muaj dhe si rezultat i dy rritjeve në sektorin e zjarrfikësve paga shkon rreth 14% rritje për nivelet e këtij sektori. Për Gardën e Republikës në këtë fazë kemi një rritje sipas gradave, ku grada më e ulët pëson një rritje rreth 22%, pra në fazën e dytë që nga shtatori dhe në gradat e tjera më të larta shkon në 7-10%. Në sistemin e Policisë kemi një rritje që shkon nga 7% për nivelet e larta deri në 25% për nivelet inspektor”.

 

Ministri theksoi se, “kjo ishte faza e dytë dhe siç e kemi miratuar më përpara në ligj do të kemi një rritje tjetër të tre këtyre sektorëve mjaft të rëndësishëm për komunitetet. Në 2024 është parashikuar që rritja që do bëhet në tre fazat, duke marrë që nga tetori i vitit të kaluar dhe deri në 2024 rritja do të bëhet në nivele rreth 40% për gjithë sistemet. Kjo është rritje historike për këta 3 sektorë që janë të rëndësishëm për sa i takon mbarëvajtjes së rendit dhe sigurisë publike”.