Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për rritjen e pagave në disa kategori.

 

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj bëri të ditur sot se nga data 1 prill pagat do të rriten për sektorin e shëndetësisë, policisë së burgjeve, policisë së shtetit, zjarrfikësit, gardën, mësuesit si dhe për punonjësit në kategoritë mbështetëse në administratën publike.

 

Sipas ministres, ky vendim vjen në kuadër të reformës së madhe që po ndërmerr qeveria shqiptare për pagat.

 

“Miratimi i ndryshimeve në ligjin “Për pagat, shpërblimet dhe strukturat e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe të institucioneve të tjera të pavarura, të krijuara me ligj”, pak ditë më parë i hap rrugën miratimit të disa projektvendimeve të tjera për rritje page dhe për të përcaktuar disa bonuese speciale, në kuadër të objektivit të qeverisë për rritje të eficiencës së administratës publike, si dhe për shpërblimin e disa pozicioneve të caktuara, që duhet të jenë konkurruese me tregun, të tilla si sektori I IT dhe pozicione të tjera të lidhura me sigurinë kibernetike, por edhe sektorë të tjerë ku janë hasur mungesa ekspertësh si te bujqësia”, tha Ibrahimaj.