Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku dhe kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektuan sot ecurinë e punimeve në lotin 5 të Unazës së Madhe të Tiranës.

 

Balluku tha se punimet në këtë lot po avancojnë çdo ditë.

 

“Kemi akoma për të bërë disa punë të rëndësishme me shpronësimin dhe akomodimin e banorëve të zonës. Ky është një nga lotët më të rëndësishëm, pasi është thellë në zemrën e Tiranës, e cila po zhvillohet. Nëse shikojmë përqark të gjitha punimet që ka bërë bashkia në infrastrukturë brenda qytetit apo edhe iniciativa private që ka pasur sektori i ndërtimit janë të rëndësishme”, theksoi Balluku.

 

Ministrja Balluku u shpreh se “kjo pjesë e unazës që do të lidhet me  të gjitha pjesët e përfunduara tashmë për të mbyllur Unazën e Madhe të Tiranës 28.8 km, të cilat i ofrojnë shërbim infrastrukturor jo vetëm kryeqytetit, por të gjitha autostradave që janë të lidhura me të, si ajo që shkon drejt jugut, apo drejt juglindjes që është ajo e Elbasanit apo edhe autostrada e Durrësit. Të gjitha lidhen me këtë arterie kaq të rëndësishme që është Unaza e Madhe e Tiranës”.

 

Duke folur për shpronësimet Balluku tha se “ato janë shumë të rëndësishme. Kemi pasur një shembull të mirë në lotët e tjera, pasi nuk është thjesht procedura e shpronësimit, por nga ana tjetër edhe ato banesa që nuk janë të legalizuara me masat qe kemi marrë ne i akomodojmë qytetarët. Kemi një akt rregullator  që akomodon edhe ato familje që nuk kanë arritur ta legalizojnë banesën e tyre”.

 

Kryebashkiaku Veliaj theksoi se “sa kaluam në Këshill Bashkiak 38 banesa të reja, kanë ndryshuar kontratën dhe ne menjëherë mbledhim këshillin për të kaluar bonusin. Në momentin që zbardhet menjëherë nga prefektura të 38 familjet që kanë nënshkruar kontratën lirojnë shtëpitë dhe ne vazhdojmë me hapjen e kantierit”.

 

Sipas tij, ky segment ka një rëndësi jetike se lidh zonën e Dajtit dhe Freskut.

 

fajtor se ka rritur vlerën e pronës, atëherë e pranon fajin, mjafton që vendi të ecë përpara.

 

“Ne, jo vetëm që kemi zgjidhur strehimin, por në momentin që investimi merr trajtë përfundimtare lirohen për legalizim edhe ato që janë pranë rrugës. Praktikisht, zgjidhet përfundimisht edhe ankthi i atyre që janë pranë dhe thonë “më kap, s’më kap”, por zgjidhet edhe strehimi i atyre që i kap dhe që në fakt e kanë ditur. Fakti që ne sapo bëmë kontratat e para – në një dorë patëm 38 përnjëherë – do të thotë se njerëzit kanë kuptuar që siguria që të ofron qiraja tre vjeçare, pra që ti je i qetë tre vjet. Koha e gjatë nënkupton që mbaron edhe projekti, sigurisht mbarojnë edhe apartamentet. Fakti që sot tek “5 Maji”, ku kemi ecur pak më shpejt, një pjesë madhe e banorëve, edhe e atyre që kanë marrë për shpronësim, por edhe e atyre të tërmetit janë futur dhe po jetohet, është një garanci e prekshme. Kur ti shikon që ka marrë jetë dhe kur shikon që premtimi është mbajtur dhe njerëzit janë futur nëpër shtëpi, na është bërë pak më kollaj puna dhe tani besoj ka një efekt domino. Pra, mbaroi ky lot, filloi loti tjetër dhe një akuzat për të cilat unë jam fajtor, kur thonë që: Shiko, po mirë dakord, e bllokuam ne Astirin, por tani që u ndërtua, tani është rritur edhe aty çmimi i shtëpive! Për këtë jam fajtor. Jemi faktorë të dy bashkë, sepse unë besoj që është lajm i mirë që është rritur vlera e shtëpive”, tha Veliaj.

 

Mandej, Balluku tha se investimet e bëra i kanë rritur ndjeshëm vlerën pronës në Tiranë.

 

“Ne vërtet e gjetëm Freskun të zhvilluar, vërtetë gjetëm Astirin, por si e gjetëm të zhvilluar. Ishin pallatet të ndërtuara pa pasur asnjë infrastrukturë bazike. As kanalizimet madje. Për të mos folur për hapësirat e përbashkëta, për rrugët lidhëse, për kopshte apo stolat, etj. Kështu që, me të vërtetë i kemi gjetur, por i kemi gjetur në ditën më të zezë dhe i kemi transformuar totalisht. Me ardhjen e infrastrukurës urbane, padyshim të gjitha këto zona kanë rritur vlerën e tyre disa herë”, përfundoi Balluku.

 

Unaza e Madhe e Tiranës ka një gjatësi totale prej 28.774 km. Ndërtimi i saj lehtëson trafikun dhe shkurton distancat, sidomos për mjetet që kalojnë tranzit në Tiranë, apo lëvizin nga periferia jashtë Tiranës. Kjo unazë do bëjë të mundur një shpërndarje të trafikut dhe do të krijojë mundësi të reja hyrjeje për në Tiranë.