Policia e Kosovës ka thënë se zbatimi i planit operativ është duke u zbatuar konform fazave të parapara me qëllim të krijimit të një ambienti të sigurt dhe të qetë për qytetarët gjatë votimit në katër komunat veriore.

 

 

Sipas një komunikate për media, nga Policia thonë se në zgjedhjet e 23 prillit janë angazhuar zyrtarë policorë në numër të mjaftueshëm.

 

“Synimi i PK-së si çdo herë mbetet, që përmes realizimit të detyrave në mënyrë profesionale të garantojë ushtrimin e lirë të së drejtës së votës, të ndërmarrë veprime parandaluese ndaj dukurive negative dhe aktiviteteve kriminale që në çfarëdo mase do të rrezikonin sigurinë, qetësinë dhe stabilitetin në vend”- thuhet në njoftim, raporton KosovaPress.

 

 

Policia e Kosovës ka inkurajuar të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës, Prokurorinë e Shtetit, KQZ-në dhe, të raportojnë për çdo rast të kundërligjshëm që ndërlidhet me sigurinë, me procesin zgjedhor apo edhe jashtë tyre, raportime këto të cilat siç kanë thënë ata, do të trajtohen në mënyrë konfidenciale.

 

Në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, sot po mbahen zgjedhjet e parakohshme lokale, ku janë planifikuar të hapen 19 qendra të votimit, prej të cilave 13 do të jenë alternative apo të ashtuquajtura “kontejnerë”.

 

Në zgjedhjet e 23 prillit, në garë janë dhjetë kandidatë, prej të cilëve vetëm një nga komuniteti serb. Ajo është Sllagjana Pantiq, kandidate e pavarur për kryetare të Komunës së Zveçanit.

 

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të katër komunave në veri të vendit, kanë të drejtë vote gjithsej 45 mijë e 95 qytetarë.