Ndërtimi i një parku multifunksional buzë Bunës është një nga projektet strategjike për transformimin e Shkodrës nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, me financim 100% të qeverisë shqiptare.

 

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga ky projekt, i cili sipas tij, “pret të shohë dritën e rrugës së zbatimit nëse dhe sapo hapet rruga e ndryshimit”.

 

Rama tha se projekti përfshin krijimin e një parku multifunksional buzë Bunës, me një hapësirë prej 18 hektarësh.

 

Po ashtu, sipas tij, pjesë e projektit është porti pranë Urës së Bunës si një pol i ri turistik, si dhe ngritja e një muzeu që do të nxjerrë në pah për vizitorë e turistë historinë rrezatuese të Shkodrës në shekuj.

 

“Ky projekt gjithashtu do të ketë impakt të lartë edhe në lehtësimin e qarkullimit dhe reduktimin e trafikut në qytet, pasi parashikon zgjerimin e rrugës nga Harku i Bërdicës tek Ura e Bahçallëkut përfshirë dhe zgjerimin e urës në katër korsi”, theksoi Rama.