Kandidati i Partisë Demokratike për bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e 14 majit, Roland Bejko zhvilloi takim me banorët në njësinë 5, e cila, sipas tij, është ndër më të populluarat, por gjithashtu mbart shumë probleme, që lidhen me mungesën e hapësirave publike, mungesën e parkimit dhe taksat.

 

Në takimin me banorë të kësaj zone, Bejko tha se u njoh me problemin e madh të mungesës së hapësirave publike, dhe problemin akut i parkingjeve.

 

“Banorët denoncuan Bashkinë Tiranë, se po rrëmben edhe pjesë nga Parku i Liqenit, duke ua bërë më të vështirë jetesën dhe uzurpuar hapësirat publike për ndërtime nga oligarkët. Ju premtova se vota e tyre sjell ndryshim!”, u shpreh Bejko në një postim në rrjetet sociale ku solli momente nga aktiviteti.

 

“Duke filluar nga parkimet dhe hapësirat e gjelbra, ekipi ynë ka hartuar një program që do të shtojë ndjeshëm parkingjet publike në mandatin e parë dhe ndërtojë një park të ri, në çdo lagje, si një domosdoshmëri për një qytet të pastër dhe me frymëmarrje për Tiranën”, tha Bejko.