Shqipëria do ta mbështesë kandidaturën e Kosovës organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030 dhe do të lehtësojë procesin e përgatitjes dhe organizimit të garave të sportit të lundrimit në bregdetin shqiptar.

 

Këtë lajm e ka dhënë vetë ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi përmes një postimi në rrjete sociale.

 

Siç shihet edhe në foto e publikuara, Kushi e shoqëruar nga Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës, Hajrulla Çeku kanë nënshkruar së bashku marrëveshjen që mbështet kandidaturën e Kosovës për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030.

 

Në postimin e bërë në Facebook, ministrja shkruan se me anë të kësaj marrëveshjeje, Shqipëria angazhohet për të mbështetur Kosovën në lehtësimin e procesit të përgatitjes dhe organizimit të garave të sportit të lundrimit.

 

“Me Ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës, z. Hajrulla Çeku, nënshkruam një marrëveshje për mbështetjen e kandidaturës së Kosovës për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030.

 

Me anë të kësaj marrëveshjeje ne angazhohemi të mbështesim Kosovën në lehtësimin e procesit të përgatitjes dhe organizimit të garave të sportit të lundrimit në bregdetin shqiptar.

 

Jemi të vendosur që të forcojmë bashkëpunimin me Kosovën në çdo fushë dhe nismat e ndërmarra mes dy qeverive tona të vijojnë të zbatohen me sukses”, shkruan Kushi.