Qeveria do të dëmshpërblejë familjarët e viktimave të masakrës së Gërdecit, duke miratuar kështu ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
"Këshilli i Ministrave vendosi Ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 7.11.2023, për çështjen “Durdaj dhe të tjerë kundër Shqipërisë”, për kërkesën nr.63543/09 (Durdaj), nr.46707/13 (Selami), nr.46714/13 (Durdaj dhe Hazizaj), nr.12720/14 (Zamira Durdaj dhe Feruzan Durdaj), përfundimtar në datën 7.2.2024, sipas shumave të përcaktuara në shtojcën 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij", thuhet në vendimin e qeverisë së publikuar sot pas mbledhjes.
Në nëntor të 2023 Gjykata e Strasburgut ka vendosur dëmshpërblim financiar prej 170 mijë eurosh për 17 persona, të plagosur dhe familjarë të viktimave të masakrës.
Të dëmtuarit që e dërguan çështjen në Strasburg ishin Zamira Durdaj dhe Feruzan Durdaj, prindërit e të ndjerit Erison Durdaj, Feruzan Durdaj, Roxhens Durdaj, Alketa Hazizaj, Aishe Selami, Pashk Kaçi, Mirela Hazizaj, Miselda Zguri, Medi Gola, Rabie Gërdeci, Shaban Brahushi, Sabrie Picari, Dylbere Prini, Adelina Cani, Meltina Haka, Bege Aliu dhe Esmeralda Sefa.
Nga shuma totale, 12 mijë euro do shkojë si dëmshpërblim për Zamira e Feruzan Durajn, dhe nga 10 mijë euro shpërblim për 15 persona të tjerë të plagosur ose familjarë të viktimave, dhe bashkërisht për të gjithë aplikantët, 8,000 (tetë mijë euro) euro, në lidhje me kostot dhe shpenzimet.
Sipas VKM-së të firmosur nga kryeministri Rama dëmshpërblimi do të bëhet brenda 3 muajve, nga Ministria e Financave, pas paraqitjes së dokumentacionit të nevojshëm ligjor për kryerjen e pagesave që do të merren nga fondi rezervë I buxhetit të shtetit. Efektet financiare të parashikuara për ekzekutimin e këtij vendimi përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për vitin 2024.
Pasi shqyrtoi dosjen dhe pretendimet e palëve, Gjykata konstatoi shkeljen e nenit 2 të konventës për të drejtën e jetës, duke vlerësuar se zgjedhja e Gërdecit si vend i objektit të çmontimit të armëve ishte bërë në kundërshtim me ligjin dhe rregulloret e shtetit. Sipas Strasburgut, një operacion i përmasave të tilla nuk duhet të ishte kryer kurrë në një vendndodhje afër rrugëve publike dhe banesave.
Zamira Durdaj
Feruzan Durda
Dëmshpërblehen me 10 mijë euro
Aishe Selami
Pashk Kaçi
Mirela Hazizaj
Miselda Zguri
Medi Gola
Rabie Gërdeci
Shaban Brahushi
Sabrie Picari
Dylbere Prini
Adelina Cani
Meltina Haka
Bege Aliu
Esmeralda Sefaj
Roxhens Durdaj
Alketa Hazizaj
26 persona humbën jetën dhe mbi 300 të tjerë mbetën të plagosur nga shpërthimi në fabrikën e demontimit të armëve në Gërdec më 15 mars 2008. Shpërthimi ishte aq i fuqishëm sa që shkatërroi 3000 banesa e biznese. Një “betejë” e gjatë dhe e ashpër po zhvillohet mes familjeve të viktimave, qeverisë dhe drejtësisë, me bazë akuzat e ndërsjellta mes palëve. Për këtë tragjedi prokuroria dërgoi 28 të pandehur në gjykatë, mes tyre edhe Mihal Delijorgjin, president i shoqërisë “Albademil”, Ylli Pinari, drejtor i kompanisë MEICO dhe Dritan Minxholli, administrator i fabrikës, të cilët janë liruar nga burgu pas kryerjes së dënimeve përkatëse. Në shkurt 2013, Gjykata e Apelit reduktoi me 1/3 dënimin e dhënë nga Gjykata e Tiranës për tre të pandehurit kryesorë të dosjes “Gërdeci”. Ndërsa vijon gjyqi ndaj Fatmir Mediut, aktualisht kryetari i Partisë Republikane dhe deputet në Parlament.