Në zonën midis Astirit, Kasharit dhe Yzberishtit janë gati terrenet për të ndërtuar 5 shkolla të reja. Dy prej tyre, të inkorporuara në një kampus të ri arsimor, do të ndërtohen në Astir.
“Për të gjithë qytetarët që kanë pyetur veten, ‘çfarë është ky terren ne mes te Astirit, që është ruajtur i pa ndërtuar’ sot kemi një përgjigje: do të jetë terreni i shkollës së re. Në fakt, do të kemi dy shkolla të reja: një shkollë e bashkuar, por me hyrje të veçanta, 9-vjeçarja me gjimnazin. Kush ka parë shkollën “Kristo Frashëri” dhe “Vaçe Zela” apo “Kennedy” dhe “Nënë Tereza”, e di ekzaktësisht se për çfarë po flas, për një kampus që është rreth 10 mijë metra katrorë. Është lajm i jashtëzakonshëm.”- tha Veliaj.
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj tha se ndërtimi i këtyre shkollave u shty për shkak të çmimeve të shtrenjtuara të materialeve të ndërtimit.
“Kjo do të thotë se kemi pritur për ta rilançuar garën për të ndërtuar shkolla të reja në Yzberisht, në gjithë zonën e Astirit dhe të Kasharit përsëri këtë vit. Ky është vetëm një nga tre terrenet. Në këtë terren do të kemi 9-vjeçaren dhe gjimnazin. Kemi një terren tjetër në Kashar, gjithashtu për 9-vjeçaren dhe gjimnazin dhe kemi gjithashtu, edhe një terren tjetër që është midis Lanës dhe Unazës.”
Ata që e bllokuan për 3 vjet me radhë Astirin janë të fundit që duhet të flasin për sa i përket objekteve arsimore, u shpreh Veliaj.
“Ju kujtoj që kjo ka qenë e gjitha komuna e Kasharit. Këtu ka qenë modeli i Partisë Demokratike: ndërto pallat, mos lërë asnjë hapësirë për parkim, asnjë hapësirë për kënd lodrash, asnjë hapësirë për shkollë. Sot, modeli ynë është krejt tjetër”.
PS ka detyrim të përfundojë shkollat e fundit të premtuara, ndërsa të tjerët, të përfundojnë shkollën e të marrin diplomën, ironizoi në fund të fjalës së tij Veliaj.
“Sigurisht, të dyja palët duhen të mbajnë premtimet për shkollë, por një palë ka detyrim ta mbarojë shkollën për efekt diplome, kurse pala tjetër, që është pala jonë, ka detyrimin ta mbarojë shkollën për efekt të premtimit. Diferencë shumë e madhe midis shkollave që premtojmë dhe premtimeve që mbajmë. Ata që s’kanë bërë asnjë shkollë sa herë që kanë drejtuar Tiranën apo s’i kanë mbarur as shkollat e tyre nuk kanë shans të nxjerrin qimen nga qulli”.
Kryebashkiaku sqaroi se procedurat do të përgatiten pas zgjedhjeve për të tre lotet, pasi në fushatë nuk lejohen garat për ndërtime.