Pas përfundimit të takimit të Komitetit të Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri, në Tiranë, kreu i grupit parlamentar në Partinë Demokratike, Gazment Bardhi, deklaroi se procesi i integrimit europian të Shqipërisë ndihmohet duke qenë të vërtetë.
Në një reagim në rrjetet sociale, Bardhi shkruan se dy ditë të mbledhjes ishin një mundësi e mirë për opozitën për të shpalosur me vërtetësi situatën në vend.
Bardhi nënvizon se përtej propagandës së qeverisë, shqiptarët përjetojnë çdo ditë regresin që po kalon vendi.
“Shqipëria po kalon këta 12 vjet regres në shtetin ligjor, në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe në garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme”- shkruan Bardhi.
Sipas Bardhit “procesi i integrimit europian të Shqipërisë ndihmohet duke qenë të vërtetë, duke mos i fshehur problemet, por duke i thënë ato me zë të lartë dhe duke u përpjekur për t’i zgjidhur e ndryshuar për mirë”.
E kundërta, nënvizon deputeti i PD-së, nuk i shërben Shqipërisë dhe integrimit europian, por i shërben vetëm Edi Ramës dhe pushtetit të tij personal./ata