Kryeqyteti pritet të mbulohet në një sipërfaqe të konsiderueshme të tij nga shërbimi  Wifi, për t’u ofruar qytetarëve aksesimin në internet. Për këtë arsye Bashkia Tiranë  ka hapur tenderin me vlerë 12.5 milionë lekë  me titullin “Zhvillimi dhe rritja e kapaciteteve të infrastrukturës për ofrimin e shërbimit wifi në ambjentet publike të Tiranës”.

 

Në tender thuhet se deri më tani ky shërbim ofrohet në 13 hapësira publike si  Sheshi “Europa”, Parku “Rinia”, Sheshi “Nënë Tereza” Fusha e Aviacionit etj.

Përtej shesheve të vendosura pritet të ofrohet ky shërbim edhe në 14 hapësira të tjera publike të tilla si Sheshi Skënderbej, Pazari i Ri, godinat e studentëve tek Fakulteti Inxhinierisë së Ndërtimit, terminalet e autobusave si kombëtar dhe ata që ofrojnë shërbimin ndërkombëtar, pranë Liqenit Farkës, Ali Demi, Kinostudio, Kombinat dhe tek Liqeni Artificial.

 

Për ofrimin e ktëij shërbimi sa më cilësor do të vihen në dispozicion një sërë pajisjesh në zonat përkatëse.

 

Qëllimi i këtij projekti është zgjerimi i hartës së ofrimit të shërbimit WiFi, nëpërmjet zhvillimit të infrastrukturës nevojshme për këtë qëllim, në hapësira të reja publike në qytetin e Tiranës,  zgjerimi i infrastrukturës në ambjentet ekzistuese nëse do të konsiderohet e nevojshme nga autoriteti kontraktor si dhe mirëmbajtja e pajisjeve, aksesorëve dhe të gjithë komponentëve që mundësojnë ofrimin e shërbimit, sipas kërkesave në këtë dokument.

 

Periudha do të jetë 12 muaj nisur nga kjo datë për realizimin e projektit me të gjithë komponentët përbërës. Ndërsa mirëmbajtja do të jetë 24 muaj, duke filluar nga data e marrjes në dorëzim të projektit./SCAN