Sekuestrohen 41 kg e 700 gram lëndë narkotike heroinë, arrestohet drejtuesi i automjetit që po transportonte lëndën narkotike.

 

Uniformat blu kanë sekuestruar ditën e sotme një sasi të madhë të lëndës narkotike heroinë, e cila po transportohej nga një automjet tip ‘Benz’.

 

Armando Papa 31 vjeç, i identifikuar si drejtuesi i automjetit me të cilin transportohej droga është arrestuar nga policia, ndërkohë është shpallur në kërkim baashkëpunëtori i tij, me iniciale R.G. banues në Sukth.

 

Nga kontrolli i bërë janë sekuestruar 62 pako brenda së cilave kishte 41 kg e 700 gram lëndë të dyshuar narkotike heroinë, së bashku me automjetin dhe 1 mjet prerës.

 

“Si rezultat i megaoperacionit ‘Fusha e kuqe’, u arrestua në flagrancë shtetasi A. P., 31 vjeç, banues në Fushë Kuqe, Kurbin.

 

Gjithashtu, u shpall në kërkim bashkëpunëtori i tij, shtetasi R. G., banues në Sukth.

 

Gjatë kontrollit në automjetin tip “Benz”, u gjet në bagazh një kuti me 62 pako brenda së cilave kishte 41 kg e 700 gram lëndë të dyshuar narkotike heroinë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale së bashku me automjetin dhe 1 mjet prerës”, tha policia.

 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme./