Më shumë se 20 persona që tentuan të kalonin detin Mesdhe dyshohet se janë mbytur.
Sipas rojes bregdetare, shkak mendohet të ketë qenë mbipesha. Emigrantët ishin nisur nga Tunizia me tre varka të ndryshme, por ata nuk mundën të mbërrinin të gjithë në destinacion.
Këto pamje të publikuara nga roja bregdetare, tregojnë njërën prej varkave e cila u përmbys në afërsi të Maltës. Por pjesa më e madhe e emigrantëve nga Lindja e Mesme u shpëtuan.
Po ashtu dhe dy varkat e tjera u kapën nga autoritetet. Vetëm në dy ditët e fundit, 1200 njerëz u shpëtuan nga autoritetet italiane dhe u sollën në Lampeduza. Përmirësimi i motit në fundjavë nxiti sërish tentativat e emigrantëve të paligjshëm që nisen nga brigjet e kontinentit të Afrikës në drejtim të vendeve të Bashkimit Europian.
Vetëm këtë vit, zbarkuan në brigjet italiane mbi 36,000 persona.