Apeli i GJKKO ka vendosur lënien në fuqi të vendimit të Shkallës së Parë, në lidhje me biznesmenin Gentian Malindi, i akuzuar për trafik ndërkombëtar të kokainës.
Malindi akuzohet se është personi pritës i një ngarkese prej 137 kilogramësh kokainë që vinte nga Ekuadori dhe u sekuestrua në Portin e Durrësit.
Edhe sipas Apelit të GJKKO, Malindi u dënua me tetë vite e tetë muaj burg. Biznesmeni u dënua nga gjykata me 13 vjet burg, por pëfitoi nga gjykimi i shkurtuar, ku i ulen 1/3 e dënimit.
- Advertisement -
Ai u shpall në kërkim në vitin 2019 pasi i shpëtoi arrestimit në momentin që priste pakot e drogës në port, por ra në pranga vitin e kaluar ku kërkoi gjykim të shkurtuar.
VENDIMI
Deklarimin fajtor të të pandehurit G.M. për kryerjen e veprës penale “Trafikimi i narkotikëve”, në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” parashikuar nga neni 283/a/1, dhe në lidhje me nenet 28/4 dhe 334/1 të Kodit Penal dënimin e tij me 13 (trembëdhjetë) vjet burgim.
Deklarimin fajtor të të pandehurit G.M. për vepër penale “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a/1 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 5 (pesë) vjet burgim.
Bazuar në nenin 55 të Kodit Penal në bashkim të dënimeve i pandehuri G.M. dënohet me një dënim të vetëm prej 13 (trembëdhjetë) vjet burgim.
Në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit G.M. i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 8 (tetë) vjet e 8 (tetë) muaj burgim.
Vuajtja e dënimit për pjesën e pavuajtur të kryhet nga i pandehuri G.M. në një burg të sigurisë së lartë, në respektim të nenit 16 pika 1, germa “a” të ligjit Nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”.