Pas një rritjeje të fortë gjatë dy viteve të fundit, kërkesat për azil nga shtetasit shqiptarë kanë shfaqur shenja ngadalësimi gjatë dy muajve të parë të vitit.
Të dhënat e publikuara nga Eurostat bëjnë të ditur se në janar-shkurt u shënuan gjithsej 1,675 kërkesa për azil në një nga vendet e Bashkimit Europian, me një rënie prej 14% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Franca vijon të jetë shteti më i preferuar për azilantët shqiptarë, me 42% të totalit të aplikimeve për janar-shkurt. Praktikat më të forta sociale të këtij shteti vijojnë që të tërheqin shtetas shqiptarë, që shpresojnë për një jetë më të mirë në këtë vend.
Gjermania renditet e dyta, me 23% të totalit, megjithatë një pjesë e madhe e shtetasve shkojnë drejt ekonomisë më të madhe të Europës me viza pune, duke mos u regjistruar si azilantë.
Italia, që ishte një nga pritësit më të mëdhenj të emigrantëve në vitet e para të tranzicionit, së bashku me Greqinë, vijon të jetë i preferuar, me 20% të totalit.
Gjeografia e aplikantëve shkon deri në Holandë, Suedi, Zvicër, Spanjë, ndonëse në shifra të ulëta (shiko grafikun: Aplikimet për azil të shtetasve shqiptarë në vendet e BE-së, janar-shkurt 2023).
Për vitin 2022, Sipas të dhënave të Eurostat, (që nga viti 2020 i raporton të dhënat për 27 vendet e Bashkimit Europian pa Mbretërinë e Bashkuar), në total kishte 13.2 mijë aplikime për azil në një nga vendet e Bashkimit Europian, niveli më i lartë që nga 2020-a. Në krahasim me një vit më parë, aplikimet për azil u rritën me 16%.
Ndërsa të dhënat e tjera, të publikuara nga Zyra e Statistikave të Emigracionit, Mbretëria e Bashkuar dhe të përpunuara nga “Monitor” tregojnë se numri i aplikimeve për azil gjithsej nga shtetasit shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar ishte 15,925, duke shënuar një nivel rekord për këtë vend.
Së bashku me Mbretërinë e Bashkuar, numri total i aplikimeve në Europë arriti në 30 mijë, niveli më i lartë që nga 2006-a.
81,000 kërkesa për azil të paraqitura në vendet e BE-së në shkurt 2023, zbulon EUAA
Rreth 81 mijë kërkesa për azil janë regjistruar në vendet e Bashkimit Europian në shkurt të këtij viti, sipas shifrave të siguruara nga Agjencia e BE-së për Azil (EU Agency for Asylum, EUAA), shkruan Schengen Visa Info.
Kjo tregon se një e treta e rritjes është regjistruar në shkurt 2023, krahasuar me shifrat e së njëjtës periudhë të vitit të kaluar, por ende nën statistikat e muajit paraprak, gjatë së cilës periudhë janë regjistruar 92,000 kërkesa për azil në vendet e BE-së.
Sipas të dhënave të EUAA-së, një rritje në numrin e kërkesave për azil është vërejtur nga qytetarët e Turqisë, Kolumbisë, Venezuelës dhe Rusisë. Raporti theksoi se, në muajin e dytë të këtij viti, venezuelianët dhe kolumbianët kanë paraqitur dy herë më shumë aplikime, duke shënuar rritjen më të ndjeshme, që nga viti 2014.
I njëjti burim tregon se, në shkurt 2023, qytetarët e vendeve të mëposhtme kanë paraqitur numrin më të madh të kërkesave për azil në vendet Europiane:
Siri – 9500
Afganistan – 9300
Turqi – 5200
Venezuela – 5200
Kolumbi – 5200
Numri i kërkesave të paraqitura për mbrojtje ndërkombëtare, në vendet e BE-së, nga qytetarët e Rusisë, gjithashtu pa një rritje të mprehtë, që nga viti i kaluar pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia. Në të njëjtën kohë, më shumë se katër milionë ukrainas, po përfitojnë nga skema e mbrojtjes së përkohshme.
Të dhënat e ofruara nga agjencia zbuluan gjithashtu se, gjithsej 650,000 kërkesa ishin në pritje të një vendimi në shkallë të parë në fund të shkurtit 2023, duke shënuar një rritje prej 43% krahasuar me vitin e kaluar.
Në të njëjtën kohë, në shkurt, rastet e pazgjidhura për shtetasit e Turqisë (42.000) dhe Rusisë (17.000), ishin dyfishuar në krahasim me vitin e kaluar.
Shkalla e njohjes në vendet e BE-së në shkurt ishte 41%, sipas EUAA, ndërsa vendet e BE-së u dhanë më shumë statusin e refugjatit qytetarëve nga Afganistani, ndërsa u dhanë më shumë subvencione ndihme sirianëve.
Normat e njohjes për shtetasit e vendeve të tjera mbetën të qëndrueshme, duke marrë gjithashtu parasysh ato për sirianët (95%), iranianët (45%), Pakistanezët (8%) si dhe Bangladeshin (4%). Por, raporti zbuloi se shkalla e njohjes për qytetarët e Turqisë, shënoi një rënie të dukshme, nga 50% në fund të vitit 2021, në 29% në shkurt të këtij viti./MONITOR