Moti i keq ka shkaktuar vonesa në nisjen e trageteve nga Durrësi drejt portit italian të Barit.

 

 

Sipas kapitenerisë së portit detar të Durrësit, era e fortë me drejtim veri-perëndim dhe deti me forcë mbi 6 ballë ka sjellë probleme në nisjen e trageteve të linjës Durrës-Bari natën e kaluar. Dy tragetet me 750 pasagjerë në bordet e tyre kanë pritur rënien e shpejtësisë së erës dhe janë nisur me të paktën 5 orë vonesë, njëri rreth orës 03:15 dhe tjetri në 04:00 të mëngjesit të sotëm.

 

Tragetet pritet të mbërrijnë në Bari rreth orës 10:00, ndërsa nuk ka pasur probleme në mbërritjen në kohë të dy trageteve të tjera mëngjesin e sotëm në Durrës. Të favorizuara nga era ato kanë mbërritur para orarit të parashikuar në port. Situata detare ka shkaktuar probleme dhe në sektorin e peshkimit që ka pezulluar përkohësisht aktivitetin. Sot, kushtet atmosferike në gjirin e Durrësit janë drejt përmirësimit.