Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi informoi pas mbledhjes së sotme se Këshilli i Ministrave miratoi projektvendimin e propozuar nga Ministria e Mbrojtjes që ka lidhje me masat në mbështetje të sistemit të Emergjencave Civile.

 

Në deklaratën për mediet pas mbledhjes së qeverisë, Peleshi sqaroi se bëhet fjalë për detajimin e një fondi prej 200 milionë lekësh ose 2 milionë dollarë, pjesë e paketës prej 20 milionë dollarësh që buxheti i këtij viti ka alokuar për Emergjencat Civile në të gjithë vendin.

 

Ai tha se fondi prej 20 milionë dollarësh ndahet me 10 milionë dollarë që tashmë janë dhënë për projekte dhe aplikime nga të gjitha bashkitë. “Projektet fituese për parandalimin dhe menaxhimin e fatkeqësive natyrore financohen nga ky fond në mënyrë të decentralizuar që do të thotë se ne e aplikojmë pjesën fituese prej këtij fondi te bashkitë përkatëse dhe pastaj bashkitë bëjnë implementimin e tyre deri në realizim”, u shpreh Peleshi.

 

“Pjesa tjetër e fondit prej 800 milionë lekësh është transfertë direkte në buxhetet e bashkive e kushtëzuar për investime apo për të adresuar çështje të Emergjencave Civile”, sqaroi Peleshi.

 

Ai informoi se fondi i tretë u detajua sot me VKM. “Bëhet fjalë për 200 milionë lekë ose 2 milionë dollarë, një fond i Ministrisë së Mbrojtjes për Agjencinë Kombëtarë të Mbrojtjes Civile që alokohet në mënyrë të përshpejtuar brenda dy ditëve pas kërkesës së kryetarëve të bashkive sa herë që evidentohet një problematikë emergjente për të cilën bashkisë i shterojnë mundësitë e ndërhyrjes dhe ne e kompensojmë përmes këtij fondi”, tha Peleshi

 

Po ashtu, Peleshi theksoi se këtë vit do të jetësohen nga qeveria italiane më shumë se 30 milionë euro për Emergjencat Civile.

 

“Ky do të jetë një vit shumë i rëndësishëm për Emergjencat Civile edhe për shkak të këtij fondi të madh të alokuar në buxhet, po dhe për disa shkaqe të tjera. Këtë vit do të  jetësohen nga qeveria italiane më shumë se 30 milionë euro tashmë e miratuar në Këshillin e Ministrave duke u detajuar në marrëveshje financiare. Ky financim i madh do mbështesë kryesisht bashkitë, por të gjithë sistemin nga niveli vendor deri te niveli qendror për përballimin e fatkeqësive natyrore”, tha Peleshi./ATSH