Zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit mes Kosovës dhe Serbisë, po vazhdon të jetë ndër temat kyresore në diskursin e politikanëve kosovarë dhe atyre serbë. Në këtë mes është përfshirë detyrishmisht edhe ndërmjetësuesi i kësaj marrëveshje, që është Bashkimi Evropian. Pra, të gjithë po akuzojnë të gjithë.

 

Ndërkohë, Kosova dhe Serbia i kanë reaguar tash së fundit BE-së, konkretisht zëdhënësit Peter Stano. Të dy vendet janë ankuar në deklarimet e fundit të Stanos për mos-respektimin e marrëveshjes.

Çka tha Stano?

 

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka deklaruar të martën se institucionet e Brukselit “e kanë marrë parasysh” dhe se “BE po mban shënim për votën kundër të Serbisë” për pranimin e kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

 

Por, Stano ka refuzuar të tregojë nëse do të këtë ndonjë masë ndaj Serbisë për mos respektim të marrëveshjes.

 

Reagimi i Kosovës

 

E veç “marrja parasysh” e votimit kundër të Serbisë, nuk po i mjafton Kosovës. Kjo deklaratë nxiti reagimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës.

 

Zëvendësministri i MPJD-së, Kreshnik Ahmeti reagoi fill pas kësaj deklarate, ku kërkoi nga BE-ja që nuk duhet vetëm ta dijë, por edhe ta dënojë ashpër votën kundër të Serbisë për Kosovën në KiE.

 

 “Duke votuar kundër dhe duke kërcënuar ata që votuan në favor të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, Serbia ka shkelur Marrëveshjen Themelore. Për më tepër, shefi i diplomacisë Ivica Daçiq deklaroi se Serbia dëshiron ndarjen e BeH. Kjo nuk është një gjë që BE-ja ta dijë, por ta dënojë ashpër.” – ka shkruar Ahmeti të martën në rrjetin social Twitter.

 

Reagimi i Serbisë

 

Mirëpo, në anën tjetër, pra në Serbi, deklarata e Stanos nuk është pritur hiç mirë.

 

Bile Serbia e akuzoi edhe vetë Bashkimin Evropian për shkelje të disa marrëveshjeve.

 

Është kryeministrja, Ana Brnabiq ajo e cila i reagoi Stanos, të cilit i tha se “BE-ja ka shkelur Marrëveshjen e Brukselit, Marrëveshjen për Normalizimi i Marrëdhënieve me Prishtinën dhe aneksi e zbatimit në Ohër”.

 

Më tej, Brnabiq ka thënë se pranimi i Kosovës në KiE ka shkelur rezoluten 1244 të OKB-së.

 

“Meqë ra fjala, më pëlqen pjesa e vërejtjeve të Peter Stan për logjikën e thjeshtë të negociatave: “Çdo palë duhet të bëjë diçka për të marrë diçka”. Në fakt, Prishtina mori më shumë se diçka për të mos bërë asgjë. Kaq për logjikën e thjeshtë.” – ka shkruar Brnabiq ndër të tjera në Twitter.

 

Pse kjo përplasje?

 

Përplasja mes Kosovës dhe Serbisë tashmë edhe ndaj BE-së, po bëhet pas pranimit të aplikimit të Kosovës në Këshilin e Evropës.

 

Votimi i Serbisë në Këshilin e Evropës kundër aplikimit të Kosovës, po shihet si shkelje e marrëveshjes së arritur më 18 mars në Ohër të Maqedonisë Veriore.

 

Përveç votës kundër, Serbia edhe ka lobuar tek shtetet që të mos përkrahin pranimin e aplikimit të Kosovës në KiE.

 

Dialogu Kosovë-Serbi / Si me marrëveshje si pa të: Plani i BE-së nuk e ndryshon aspak qasjen e Serbisë ndaj Kosovës

 

Ndërkaq, aneksi i zbatimit të marrëveshjes thotë se palët nuk do të pengojnë njëra-tjetrën për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare.

 

Për të mos harruar, më 2 maj pritet që të ketë një takim të nivelit të lartë politik në Bruksel.

 

Kryministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, pritet të takohen dhe në rend të ditës të këtij takimi do të jetë draft-statuti për Asociacionin si dhe deklarata për të pagjeturit, por edhe çështje të tjera emergjente./Nacionale