Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj deklaroi sot se zhvlerësimi i euros dhe forcimi i monedhës shqiptare lidhet kryesisht me turizmin dhe investimet e huaja neto.

 

“Zhvlerësimi i euros dhe forcimi i lekut është i lidhur me hyrjet e të ardhurave që kemi pasur gjatë vitit 2022. Kemi pasur gjatë vitit 2022 një sezon turistik të lartë dhe me një fluks turistësh që ka qenë më i larti i të gjitha kohërave. Kjo ka bërë që hyrjet e kapitalit të jenë më të larta dhe kjo është reflektuar në bilancin e pagesave. Nga ana tjetër edhe investimet e huaja direkte neto janë rritur dhe kjo ka qenë një tjetër arsye që ka ndikuar në vlerësimin e monedhës vendase dhe në zhvlerësimin e euros. Pra flukset hyrëse të monedhës kanë qenë në rritje të ndikuara dhe nga rritja e turizmit, investimeve të huaja direkte, por dhe nga rritja e remitancave”, deklaroi Ibrahimaj, në një deklaratë për mediet, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave.

 

Ministrja Ibrahimaj mohoi se, ky zhvlerësim i euros të jetë i lidhur me paranë informale që mund të jetë hedhur në treg në kuadër të fushatë elektorale për zgjedhjet vendore të 14 majit.

 

Sipas saj, paraja informale në treg ekziston dhe kjo është e pranuar edhe nga raportet e Bankës së Shqipërisë, por kjo situatë nuk lidhet me fushatën elektorale.

 

“Paraja informale ekziston, Banka e Shqipërisë ka një matje dhe një indikator për paranë jashtë bankave, edhe nuk është i lidhur me fushatën elektorale dhe nuk ka një element shtesë këtë vit”, shtoi ajo.

 

Sa i përket efektit të zhvlerësimit të euros, tek kompanitë eksportuese, ministrja bëri të ditur se, po analizohen këto efekte nga Ministria e Financave dhe se duhet pasur parasysh se Shqipëria prej shumë vitesh aplikon një kurs këmbimi jo të fiksuar, por të lirë.

 

“Kursi i këmbimit i lirë në krizat e njëpasnjëshme që na është dashur të kalojmë ka qenë element kyç për ekonominë shqiptare, pasi është stabilizues i të gjitha goditjeve që kemi pasur. Nëse do të shikojmë performancën e ekonomisë shqiptare me atë të Maqedonisë së Veriut, Shqipëria ka një performancë shumë të mirë dhe një nga elementët ka qenë pikërisht tregu i lirë. Por, ne po analizojmë me shumë kujdes ndikimet. Nuk preken vetëm kompanitë eksportuese, por edhe ato investuese që kanë kredi në euro. Ka një sërë kompanish të tjera që operojnë në treg dhe i kanë kreditë në lekë“, deklaroi Rama./ATSH