Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, anëtarësimi në Bashkimin Evropian është një proces që i takon të gjithëve, jo vetëm qeverisë.

Në fjalën e tij në Konferencën Kombëtare për Arsimin dhe Formimin Profesional, Rama u shpreh se, “vitet përpara deri në 2030, kemi në kurriz të gjitha detyrimet e reja që burojnë nga faza e re e anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe shumëkush shumë gabimisht mendon që anëtarësimi në Bashkimin Europian është një proces që i takon qeverisë”.

“Në fakt, jo! Anëtarësimi në Bashkimin Europian, deri në momentin e çeljes së negociatave, është përgjithësisht një proces që i takon qeverisë. Në momentin kur hapen negociatat, të ashtuquajtura sepse nuk negociohet në fakt, Bashkimi Europian nuk negocion! Bashkimi Europian vë përpara një listë të tërë kërkesash dhe thotë: “Mangi questa minestra”, siç thuhet në gjuhën e ambasadorit të Bashkimit Europian që kemi fatin e madh ta kemi nga një vend që na kupton më mirë se të tjerët sepse edhe sot e gjithë ditën ka nevojë të përmirësojë veten në raport me Bashkimin Evropian”, tha Rama.

Në këtë proces, shtoi Rama, “Bashkimi Europian shikon qeverisjen, shikon sistemin e drejtësisë, shikon agjencitë e tjera të pavarura, por shikon edhe sektorin privat dhe në rast se abstragojmë dhe themi: të gjitha strukturat e sektorit publik, që nga qeveria, tek drejtësia e tek agjencitë e ndryshme të pavarura i plotësojnë kushtet,  nuk mjafton nëse biznesi nuk i plotëson kushtet. Nëse performanca e sipërmarrjes, nëse prodhimet e vendit apo aktivitetet ekonomike të vendit nuk plotësojnë standardet e Bashkimit Europian. Një nga vendet, nuk po e përmend emrin, në rrugën e anëtarësimit u ndesh me një nga problemet më të mprehta që ishte therja e pa sistemuar e gjësë së gjallë për konsum dhe të tilla janë plot”.

Kështu që, theksoi kreu i qeverisë, “jemi në një fazë kur duhet të gjithë të bëjmë një kilometër ekstra në mënyrën e të menduarit për t’u afruar në një pikë. Institucionet të varura apo të pavarura, i gjithë sektori publik dhe sektori privat, duke nisur që nga arsimi ku në dukje, nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me negociatat, por ku në fakt formësohet brumi që pastaj na i bën të mundura këto sfida shumë të vështira”./ata