Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, projekti “Durrës Yacht & Marina” do të transformojë totalisht gjithçka, ndërkohë që sfidë mbetet kapitali njerëzor.
“Në një nga bisedat me Mohamed Alabar pyetja dhe njëkohësisht reflektimi i tij kishte të bënte me këtë. Sa janë të përgatitur në industrinë shqiptare të turizmit dhe hotelerisë, ta akumulojnë atë që do të sjellë Marina. Marina do të sjellë për gjithë Shqipërinë, por sidomos për hotelerinë atje, do të jetë një bum. Pyetjes tonë: ‘çfarë nënkupton me këtë’, ai iu përgjigj – ‘çfarë kapitali njerëzor ka?”, tha Rama.
Ndërkohë, kryeministri shprehu besimin që, rritja e pagave, rrit ndër të tjera, jo vetëm eficencën në punë të punonjësve, por rrit edhe eficencën ekonomike në tërësi.
“Një pjesë do të kuptojnë se, nuk kanë pse të hapin një biznes me dy veta, që në fund të ditës nuk nxjerrin dot atë që duan, por do t’i drejtohen tregut të punës nëse pagat janë të tilla që ia bëjnë më të thjeshtë të jenë të punësuar, se sa të vetëpunësuar. Burimet njerëzore janë nafta, gazi, dielli dhe gjaku, pa të cilin nuk mund të funksionojë më tutje asnjë projekt i të ardhmes për asnjë sipërmarrës dhe duke u trajtuar si të tilla, ato e sjellin suksesin”, tha Rama./ATSH