Detaje të reja janë zbardhur nga dosja hetimore për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj në Shëngjin.

 

Bëhet me dije se i dyshuari si porositës Edmond Haxhia, i ka pritur në Rinas 4 britanikët dhe portugezin.

 

Sipas News24, ai i orientonte pjesëtarët e tjerë të grupit me telefon se nga të lëviznin. Mësohet se Haxhia i ka pritur përballë një hoteli në Rinas dhe më pas i ka shoqëruar.

 

Burime bëjnë të ditur se britaniku Harry Simson, ka një të shkuar problematike në Britaninë e Madhe, për agresion dhe lëndë narkotike. Për sa i përket autorit portugez, ai ishte me origjinë arabe.

 

Ai është larguar nga dogana e Kapshticës më drejtim të Greqisë së bashku me dy britanikët e tjerë. Dyshohet se janë ende në Greqi. Simson dhe Edmond janë larguar nga Rinasi.

 

Ata kanë tentuar ta kryenin ekzekutimin edhe në datat 16-17-18 prill, por nuk e kanë mundur që ta kryejnë. Sipas burimeve ata kanë pritur dhe janë filmuar duke qëndruar në zonë në këto data për 6-8 orë. Por Nikulaj ka qenë i shoqëruar dhe nuk e kanë kryer dot vrasjen.

 

Kontrolle po kryhen edhe për të gjetur banesën në Shkodër ku dyshohet se ka qëndruar autori portugez. Sa i përket dëshmisë së vajzës, mësohet se ka qenë ajo që i ka identifikuar të gjithë autorët.