Një komitet i OKB-së shprehu shqetësimin për shkeljet e të drejtave të njeriut nga forcat ruse dhe grupet private ushtarake në Ukrainë, duke përfshirë dëbimin me forcë, torturat, përdhunimet dhe ekzekutimet jashtëgjyqësore.

 

Në raportin e tij, Komiteti i OKB-së për Eliminimin e Diskriminimit Racor u bëri thirrje autoriteteve ruse të hetojnë pretendimet për shkelje të të drejtave të njeriut të kryera gjatë pushtimit të Ukrainës.

“Komiteti është thellësisht i shqetësuar për shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut të kryera gjatë konfliktit të armatosur në vazhdim nga forcat ushtarake të Federatës Ruse dhe grupet ushtarake private,” thuhet në deklaratë.

 

Në raportin e tij, komiteti renditi përdorimin e tepruar të forcës, ndalimet arbitrare, vrasjet dhe deportimin me forcë të fëmijëve nga Ukraina në Rusi midis shkeljeve të kryera.

 

Rusia, për të cilën komiteti i OKB-së tha se kishte refuzuar t’i jepte asaj informacion mbi konfliktin, ka mohuar kryerjen e mizorive dhe sulmin e qëllimshëm të civilëve në Ukrainë.

 

Vendi ka mohuar deportimin e fëmijëve ukrainas në Rusi, duke thënë se i ka evakuuar për t’i mbrojtur.