Qeveria gjermane po shqyrton nëse procedurat e azilit mund të kryhen në vende jashtë BE-së, tha ministrja e Brendshme, Nancy Faeser për gazetën ”Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung”.
Ajo tha se ishin ”planifikuar marrëveshje migracioni me vendet e treta, të bazuara në shtetin e së drejtës”.
”Qeveria po shqyrton nëse vendosja e statusit të mbrojtjes është gjithashtu e mundur brenda këtij kuadri”, shtoi Faeser.
Kërkesat për azil janë rritur në Gjermani dhe në mbarë Bashkimin Evropian.
”Në vitin 2022, 881 200 persona aplikuan në mbarë BE-në, nga të cilët 217 735 e paraqitën kërkesën e tyre në Gjermani”, sipas agjencisë së statistikave të BE-së, Eurostat.
Shumë komuna gjermane ndjehen të mbingarkuara nga numri i lartë i refugjatëve, me çështjen që do të diskutohet në një takim mes 16 landeve të vendit dhe qeverisë federale më 10 maj.
“Ne po e ndajmë këtë sukses të madh humanitar së bashku”, tha Faeser.