Kanë dalë detaje se si Policia britanike ka rënë në gjurmët e 3 të shpallurve në kërkim për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj në Shëngjin.

 

Sipas Balkan Web,  Thomas Mithan dhe Steven Hunt dhe Edmond Haxhia janë zbuluar nga  telefonat celular, pasi ishin njoftuar edhe nëpërmjet letërprosive të dërguara pak ditë më parë nga Policia e shtetit shqiptar.

 

Mësohet gjithashtu  se 3 të arrestuarit kanë qenë në zona të afërta me njëri tjetrin, teksa dyshohet se edhe një tjetër person nga tre të shpallurit në kërkim ndodhet në Londër.

 

Sa i përket edhe ekzekutorit, Ruben Saraiva shtetasi portugez, dyshohet se nuk ndodhet në Britani, por ka dyshime të forta se pas ngjarjes ai është larguar si këmbësor drejt shtetit grek.

 

Tashmë pritet dhe nisja e procedurave për ekstradimin e të arrestuarve, Edmond Haxhia, Thomas Mithan dhe Steven Hunt nga shteti britanik drejt shtetit shqiptar ku do të përballen edhe me akuzat.

 

Në lidhje me këtë ngjarje vijojnë të jenë në kërkim Ruben Saravia, i cili dyshohet se është ekzekutori i Nikulajt dhe britanikët Harriet Bridgeman e Harry Simpson.

 

Britanikët dyshohen se në vrasjen e Nikulajt kanë pasur rolin e vëzhguesve të lëvizjeve të viktimës.