Avokati Spartak Ngjela në një lidhje ‘skype’ për “Frontline Interview” me gazetaren Marsela Karapanço në Report Tv foli për vendimin e Gjykatës Kushtetuese që i hapi rrugë marrëveshjes me Italinë për ngritjen e një qendre strehimi për emigrantët afrikanë në Gjadër të Lezhës.
Ngjela, duke theksuar se kryeministri ka të drejtë të hyjë në marrëveshje me shtete të tjera, ngriti disa pikëpyetje duke thënë se së pari, qeveria duhet të sqarojë nëse Shqipëria do të marrë qira nga toka që do të vendosë në dispozicion të Italisë për strehimin e përkohshëm të emigrantëve.
“Ata do rrinë këtu, ne nuk paguajmë asgjë. Ndërtimin dhe gjithë kampin do ta bëjnë italianë. Këtu lind vetëm një pyetje, sa është qiraja që merr Shqipëria? Pra duhet të dimë sa do i paguajë Italia shtetit shqiptar për këtë sepse po u jep një favor, të instalojë dyndjen që kanë italianët me refugjatët. Nëse ia ka thënë gratis, ka bërë gabim sepse nuk jemi shtet i pasur ne që të ndihmojmë Italinë. Problemi është sa do jetë qiraja në kontratë. Shqiptarët i kanë deleguar pushtetin kryeministrit aktual që mund të hyjë në cdo marrëdhënie kontraktuale me shtetet e tjera”- u shpreh Ngjela.
Mes të tjerash Ngjela parashtroi edhe disa prej masave që qeveria duhet të ndërmarrë para mbërritjes së refugjatëve në qendrën e strehimit të Gjadrit, ku ndër to ishte edhe nevoja për krijimin e një spitali provizor.
“Si kryeministër nuk ke të drejtë të japësh teritor gratis qoftë edhe një vit një shteti tjetër që do të sjellë refugjatë. A je i sigurt ti që me këta refugjatë nuk vijnë sëmundje që nuk njihen fare në Shqipëri? A ka krijuar një spital provizor atje për analizat? A ka qeveria një siguri që këtu nuk hyjnë sëmundjet e rrezikshme që janë në Afrikë apo Azi? Këto duhen parë.”- nënvizoi avokati.
Në vendimin e dhënë nga gjykata Kushtetuese më 29 nëntor, theksohet se marrëveshja me Italinë nuk cënon integritetin territorial të vendit dhe si e tillë, nuk është anti-kushtetuese. Vendimi tashmë i hap rrugë votimit të marrëveshjes në Kuvendin e Shqipërisë. Më 6 nentor 2023 kryeministri Edi Rama dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni nënshkruan në Romë marrëveshjen me kohëzgjatje 5 vjeçare për ndërtimin në Shqipëri të dy qendrave për strehimin e emigrantëve. Sipas marrëveshjes porti i zbarkimit do të jetë Shëngjini, ndërsa Gjadri do të jetë kampi ku do të ndërtohet vendqëndrimi i tyre. Kapaciteti maksimal pritës është 3 mijë shtretër.