Tom Harrison është një personazh i veçantë, i cili më parë u zvarrit në Maratonën e Londrës i veshur si gorilla dhe për këtë gjë ai u bë shumë viral në vitin 2017.
Së fundmi në maratonën e Londrës që u zhvillua në 23 prill ai vendosi që të marrë pjesë duke ecur mbrapsht si një formë mbështetjeje për Ukrainën. Tom Harrison, i cili jeton në Amersham, Buckinghamshire dhe është një ish oficer policie që aktualisht punon në menaxhimin e projekteve, tha për mediat e huaja se ka disa arsye që fshihen pas idesë së tij për të ecur mbrapsht në Maratonën e Londrës “Në shkollë kishim një moto që ishte në latinisht dhe përkthehej në: “Shiko përpara dhe shiko prapa”, tha ai.
Sipas tij kjo moto do të thotë që “të shikoni atë që keni arritur, shikoni atë që keni bërë dhe nga keni ardhur dhe të mos e harroni këtë, por gjithashtu shikoni përpara për të ardhmen dhe atë që do të vijë ende dhe çfarë mund të arrini ende…”
46-vjeçari nuk është i panjohur për të ndërmarrë bëmat unike, pasi ka ecur 263 milje në 15 ditë nga Land’s End në Cornwall në Sheshin e Parlamentit në Londër në shtator 2022, dhe ka ecur prej 26.2 miljesh me një veshje gorilla në 2017 si alter-ego e tij “Mr Gorilla”.
Ideja e tij “e çuditshme” dhe “tërheqëse” ka si qëllim që kauza e tij të bëhet virale dhe me fondet e mbledhura të mbështesë ukrainasit e përfshirë në luftën e vazhdueshme me Rusinë. Objektivi i tij ishte për mbledhjen e fondeve prej 2,000 paund-i cili duhej të arrihej nga të gjithë ata që mbledhin fonde për Kryqin e Kuq në mënyrë që vendi i tyre për maratonën të mund të sigurohej. Ky fond është tejkaluar, por zoti Harrison shpreson se do të bëhen edhe më shumë donacione.
Tom është babai dy djemve Nicholas, 12 vjeç dhe Alex, 10 vjec. Teksa ata bënin stërvitje futbolli, ai ka qënë i pranishëm dhe kjo i ka shërbyer si një mënyrë për të përsosur ecjen e tij prapa dhe për të nxitur interesin për kauzën.