Rusia gjatë natës ka kryer sulme intensive ajrore ndaj qyteteve të Ukrainës, përfshirë edhe kryeqytetin Kiev, transmeton Anadolu.

 

Kreu i Administratës Ushtarake të qytetit të Kievit, Sergey Popko në një deklaratë nga llogaria e tij në median sociale tha se rusët natën kanë kryer sulme intensive ndaj Ukrainës.

 

"Sipas përcaktimeve paraprake, sulmet janë kryer me avionët strategjikë Tu-95. Alarmi për sulm ajror në Kiev vazhdoi për rreth 3 orë. Rusët në të njëjtën kohë sulmuan me raketa lundruese dhe dronë", tha Popko.

 

Ai ndau informacionin se të gjitha raketat dhe dronët rusë në hapësirën ajrore të Kievit u neutralizuan nga sistemet e mbrojtjes, se nuk janë shënuar humbje jete tek civilët dhe se nuk ka pasur dëme tek apartamentet ose infrastrukturat civile.

 

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ukrainës, Valerii Zaluzhnyi në një deklaratë në llogarinë e tij në rrjetet sociale tha se rusët kryen sulme ndaj Ukrainës me 11 avionë strategjikë Tu-95 rreth 02:30 sipas kohës lokale.

 

"Rusët lëshuan gjithsej 18 raketa lundruese ndaj Ukrainës", tha Zaluzhnyi i cili shtoi se 15 prej këtyre janë shkatërruar nga forcat ukrainase.

 

Në një deklaratë nga Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës vihet në dukje se ushtria ruse sulmoi me 5 raketa qytetet Kramatorsk, Konstiantynivka dhe Pavlohrad.

 

Në pamjet e ndara në median sociale lidhur me sulmet në qytetit Pavlohrad shihet se janë thyer xhamat e apartamenteve dhe se ka shpërthyer një zjarr i madh në një pjesë të qytetit.

 

Kreu i Administratës Ushtarake të rajonit Dnipropetrovsk, Serhiy Lysak në një postim nga llogaria e tij në median sociale tha se 25 persona, përfshirë 3 fëmijë janë plagosur në sulmet ruse në Pavlohrad.