Është zbardhur dëshmia e shoferit dhe pronarit të linjës së autobusëve Durrës-Bari ku u gjetën 13 kilogramë heroinë.

 

Sipas Klan News, drejtuesi i mjetit, 57-vjeçari Piro Rrushi ka deklaruar para grupit hetimor se nuk ka pasur dijeni për sasinë e lëndës narkotike që u gjet brenda autobusit.

 

Edhe pronari i linjës, 32-vjeçari Mikel Pici, fillimisht ka mohuar që të ketë lidhje me këtë rast të trafikut, e më pas ka preferuar që të heshtë.

 

Të dielen, gjatë kontrollit në vijën e dytë, policia gjeti një sasi mbi 13 kilogramë heroinë. Lënda narkotike ishte e paketuar në 26 pako, e mbështjellë me letër natriban ndërsa ishte futur në një vend të veçantë në pjesën e pasme të autobusit. Lidhur me ngjarjen policia vuri në pranga shoferin dhe pronarin e mjetit.

 

Sasi e drogës u zbulua pas një hetimi disa javor, ndërsa kishte destinacion Barin në Itali. Uniformat blu po vijojnë hetimet për të zbuluar edhe persona të tjerë të cilët mund të jenë të përfshirë në këtë rast trafiku.