Mjekët, shkencëtarët dhe studiuesit kanë ndërtuar një model të inteligjencës artificiale që mund të identifikojë me saktësi kancerin, gjë që mund të përshpejtojë diagnostikimin e hershëm të sëmundjes dhe nisjen e trajtimeve.
Mjeti i inteligjencës artificiale, i krijuar nga ekspertë në fondacionin Royal Marsden NHS, Instituti i Kërkimit të Kancerit, Londër dhe Imperial College në Londër, mund të identifikojë nëse rritjet anormale të qelizave të zbuluara në skanimet CT janë kanceroze.
Sipas studimit, algoritmi funksionon në mënyrë më efikase dhe efektive sesa metodat aktuale. Gjetjet janë publikuar në revistën eBioMedicine të Lancet.
"Në të ardhmen, ne shpresojmë se do të përmirësojë zbulimin e hershëm dhe potencialisht do ta bëjë trajtimin e kancerit më të suksesshëm duke vënë në pah pacientët me rrezik të lartë,” tha Dr. Benjamin Hunter, një hulumtues klinik në Imperial College.
Mjeti i ri mund të ndihmojë gjithashtu mjekët të marrin vendime më të shpejta për pacientët me rritje jonormale të qelizave, të cilët aktualisht konsiderohen me rrezik të mesëm.
Inteligjenca artificiale është një nga temat më të diskutuara të momentit dhe së fundmi, në fokus është lidhja e saj me shëndetin. Në fillim të prillit, u raportua se ChatGPT ka potencial të madh për të përmirësuar parandalimin e kancerit.