Zhvillime dramatike e të papritura raportohet të kenë ndodhur në Hagë. Rexhep Selimi duket se ka kërkuar që të zëvendësohet avokati i tij kryesor, pikërisht në kohën kur ka nisur gjykimi ndaj tij dhe tre ish-krerëve tjerë të UÇK-së që po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

 

Selimi ka kërkuar që David Young të mos e përfaqësojë më në Hagë, duke e ndërprerë kontratën me të.

Në vendimin e Speciales thuhet që kjo gjë është bërë me një “përshkrim të shkurtër të motivimit të kërkesës së tij” por pa dhënë detaje specifike.

 

Në vend të Youngut ai ka kërkuar që të ketë avokat Geoffrey Robertsin.

 

 “Në bazë të rregullit 26(1) të Rregullave1 dhe nenit 16(1) të Direktivës për avokatin, sekretari kërkon miratimin e Trupit Gjykues për ndërprerjen e parakohshme të shërbimeve të z. David Young (‘MrYoung’) si avokat i z. Rexhep Selimi. (‘Zoti Selimi’). Më 25 prill 2023, Zyra e Mbrojtjes mori një letër nga z. Selimi ku kërkonte që z. Young të tërhiqej si avokat i emëruar nga ai, dhe që është caktuar si avokat zëvendësues Geoffrey Roberts. Selimi përfshiu një përshkrim të shkurtër të motivimit të kërkesës së tij. Zyra e Mbrojtjes gjithashtu mori nga z. Selimi një formular të nënshkruar dhe datë kërkese për takim, si dhe një autorizim për z. Roberts. Në të njëjtën ditë, z. Young paraqiti një kërkesë përkatëse për t’u tërhequr si avokat i emëruar për z. Selimi bazuar në arsye të mira, dhe duke përshkruar arsyet për këtë”, thuhet në vendimin e Speciales.

 

Në anën tjetër, Roberts duket se e ka pranuar kërkesën e Rexhep Selimit dhe do ta përfaqësojë atë në procesin gjyqësor në Hagë.

 

Në fakt, Roberts kishte qenë pjesë e ekipit mbrojtës të Rexhep Selimit prej nëntorit të vitit 2020 si avokat ndihmues.

 

“Roberts konfirmoi në Zyrën e Mbrojtjes se atij i ishte drejtuar një kërkesë për të përfaqësuar z. Selimi dhe se ai do ta pranojë emërimin.” – thuhet tutje.

 

Kujtojmë se Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së – Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit – ka nisur më datë 4 prill të këtij viti. Ata po mbahen në paraburgim nga 5 nëntori i vitit 2020.

 

David Young e kishte bartur funksionin e avokatit kryesor të Selimi prej datës 12 nëntor 2020./Nacionale