Kryeministri Edi Rama theksoi sot “ne jemi në gjendje të bëjmë këtë rritje historike të pagave dhe do vazhdojmë t’i japim mbështetje komuniteteve duke u mbështetur tek njerëz si Arifi”.
Në takimin me banorë të Belshit, ku prezantoi kandidatin e Partisë Socialiste në zgjedhjet e 14 majit, Arif Tafani, kryeministri Rama tha se “rritja e pagave është rritje historike në sektorin publik dhe do të tërheqë shumë fort edhe sektorin privat”.
“Prilin e vitit të ardhshëm do ta mbyllim këtë proces, ku po rrisim pagat që tani dhe do të arrijmë nga 530-900 euro pagë mesatare në Shqipëri. Kemi rritur pagën minimale në 40 mijë lekë do e çojmë në 45 brenda mandatit dhe pa e çuar ne 60 nuk e kemi bërë detyrën”, theksoi Rama.
Rama u shpreh se “nuk e kemi pasur të lehtë tërmeti na detyroi që shumë projekte t’i lëmë për më vonë edhe Belshi ka dhënë kontributin e vet për rindërtimin e mijëra mijëra shtëpive për ata që ngelën në qiell të hapur se edhe projektet e Belshit u ndaluan. Pandemia na bëri që të shtyjmë gjëra për më tutje se duhet të mbështesim ata më në nevojë, të garantonim vaksinat, pastaj erdhi lufta e kështu me radhë”.
Rama tha se “sot vazhdojmë paguajmë që çdo faturë energjie të mos ketë qindarkë më shumë se ç’kishte para krizës së çmimit, por çmimi i energjisë është shumë i lartë”.