Gazetari Artan Hoxha deklaron se pas rrëmbimit të dyfishtë në Sarandë të Fatmir Sulovarit (Krasniqi) dhe Leonard Thodhorit është i njëjti grup kriminal që ekzekutoi Aleksandër Sadikaj.
Në një postim në “Facebook”, Hoxha deklaron kjo strukturë kriminale, rezulton të ketë një aktivitet të gjatë në trafikun e narkotikëve.
Sipas tij, aktualisht ky grup kriminal ka siguruar një linjë të trafikut të kokainës nga Amerika Latine drejt Evropës.
Gazetari shton se i njëjti grup kriminal, dyshohet se ka organizuar dhe finalizuar atentatin me minë të telekomanduar të 11 qershorit 2022, kur afër rreth-rrotullimit të TEG-ut humbi jetën në një atentat mafioz, 27-vjeçari Aleksandër Sadikaj.
Ai thekson se deri tani dy ngjarjet rezultojnë të mos kenë lidhje me njëra-tjetrën, edhe pse janë kryer nga e njëjta strukturë kriminale.
Hoxha jep detaje dhe nga lëvizjet e fundit të dy të zhdukurve që sipas tij janë vrarë dhe nxjerr foton e një prej autorëve.
POSTIMI I PLOTË
Pas rrëmbimit të dyfishtë në Sarandë, i njëjti grup kriminal që ekzekutoi Aleksandër Sadikaj…
Një grup i strukturuar kriminal, i specializuar kryesisht për trafikun e narkotikëve, ka organizuar rrëmbimin dhe më pas eliminimin fizik të Fatmir Sulovarit (Krasniqi) dhe Leonard Thodhorit, i njohur me nofkën “Koçolja”, mesnatën e së enjtes së 6 prillit 2023 në qytetin e Sarandës.
Prokuroria dhe policia nuk kanë ende një përgjigje edhe pas 25 ditësh nga momenti kur ndodhi ngjarja, por tashmë kanë një panoramë më të qartë të asaj çfarë ka ndodhur.
Pasi janë shoqëruar me dhjetëra dëshmitarë, janë ndaluar dhe ekspertuar të paktën 8 automjete, janë bastisur dhe kontrolluar disa banesa, janë këqyrur me dhjetëra orë filmime të kamerave të sigurisë dhe janë zbardhur komunikimet telefonike të personave të dyshuar, u arrit në përfundimin se pas kësaj ngjarjeje qëndron një strukturë e qëndrueshme kriminale, e cila ka përdorur si bazë operacionale të saj qytetin e Sarandës.
Nga të dhënat e deritanishme, kjo strukturë kriminale, rezulton të ketë një aktivitet të gjatë në trafikun e narkotikëve, fillimisht të kanabisit nga Shqipëria drejt Greqisë dhe më pas ka kaluar në trafikun e drogave të forta. Aktualisht ky grup kriminal ka siguruar një linjë të trafikut të kokainës nga Amerika Latine drejt Evropës.
Saranda shërben si bazë operacionale, nga ku grupi ka drejtuar aktivitetin e vetë, por edhe si vend ku janë investuar paratë e fituara nga narkotrafiku.
I njëjti grup kriminal, dyshohet se ka organizuar dhe finalizuar atentatin me minë të telekomanduar të 11 qershorit 2022, kur afër rreth-rrotullimit të TEG-ut humbi jetën në një atentat mafioz, 27-vjeçari Aleksandër Sadikaj.
Deri tani dy ngjarjet rezultojnë të mos kenë lidhje me njëra-tjetrën, edhe pse janë kryer nga e njëjta strukturë kriminale.
Në rastin e ngjarjes se 6 prillit, rezulton se ky grup kriminal ka pasur në objektiv, vetëm rrëmbimin e shtetasit Leonard Thodhori, për shkak të një marrëveshje që ka shkuar keq.
Por ky i fundit pasi ka nuhatur rrezikun, dyshohet të ketë kërkuar ndihmën e pronarit të disko “El Dorado” në Ksamil, Fatmir Sulovari, i cili ka qenë i armatosur me pistoletë.
Nga dinamika e deritanishme, rezulton se autorët, pasi kanë tërhequr në një takim-grackë dy viktimat, i kanë rrëmbyer ata duke i çuar në një “bazë të sigurt” në periferi të Sarandës. Nga aty trupat e viktimave dyshohet të jenë eliminuar fizikisht dhe të jenë fshehur.
Pavarësisht operacioneve të kërkimit për ditë të tëra nga policia dhe familjarët e të zhdukurve, nuk janë gjetur ende trupat e viktimave.
Kërkime janë bërë në zonën e Vrinës dhe Konispolit ku dyshohej se kufomat mund të ishin groposur. Më pas u bënë kërkime në zonën e kanalit Çukës, kanalit të Vivarit dhe në liqenin e Butrintit me polumbarë të forcave RENEA.
As përdorimi i dronëve nga ajri nuk dha rezultat.
Deri tani, Prokuroria ka arrestuar vetëm shtetasin Sofokli Andrea Baxheri, i datëlindjes 7/11/1995, i cili ka shërbyer në rol ndihmës, si dhe në gjetjen e mjeteve apo bazës së sigurt ku kanë vepruar autorët.
Ndërkohë janë shpallur në kërkim policor të paktën 5 shtetas të tjerë, dy prej të cilëve me role kryesore në grup, dyshohet të jene larguar menjëherë pas ngjarjes për në Dubai.
Mes personave të dyshuar për këtë ngjarje, është edhe një shtetas me origjinë nga veriu i Shqipërisë, por nuk është bërë e mundur të gjendet vendndodhja e tij. Ky person ka qëndruar për disa kohë në Sarandë. Ai rezulton se ka qenë në qytet edhe mbrëmjen kur ka ndodhur ngjarja. Më pas është larguar pa u lokalizuar vendndodhja e tij.
Në foto: Një nga personat e dyshuar, i shpallur në kërkim për rrëmbimin dhe zhdukjen e Fatmir Sulovarit dhe Leonard Thodhorit.