Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama çeli sot fushatën elektorale për zgjedhjet e 14 majit në Librazhd, ku prezantoi kandidiatin e PS-së për kryetar bashkie, Mariglen Disha.

 

Në fillim të fjalës së tij, Rama vlerësoi transformimin që ka ndodhur në këtë bashki në drejtimin e Kastriot Gurrës.

 

“Këtu kemi mundësi të flasim përmes punëve të bëra, veprave të kryera, zotimeve të mbajtura. Dua të falënderoj Kastriot Gurrën, i cili për 2 mandate më radhë ka qenë këmbëngulës, kërkues, shumë i përkushtuar në krye të punëve dhe faktikisht dua ta dini se, pa Kastriotin ne nuk do të kishim mundur dot të bënim këto ndryshime të mëdha, tranforimime të jashtëzakonshme në gjithë bashkinë Librazhd”, tha Rama.

 

Ai u shpreh se, “Kastriot Gurra dorëzon stafetën me faqe të bardhë dhe ëshë gati për të marrë një detyrë të rëndësishme në Tiranë dhe për të qenë në vazhdim një derë e hapur për të gjithë”.

 

“Por edhe për të qenë një krah për Mariglenin që vjen nga një eksperiencë pune dhe i takon të mos lëvizi nga Librazhdi, por të jetë pranë jush 24 orë në çdo ditë të javës pa pushim”, tha Rama.

 

Kryeministri u shpreh se, “edhe këtu ne kemi mundësinë të jemi në hapësira që nuk kanë ekzistuar më parë”.

 

“Më kujtohet kur kemi ardhur me Kastriotin e Taulantin dhe kemi parë se çfarë katastrofe ishte kjo hapësirë ngjitur me qytetin. Kemi vendosur ta kthejmë në një park të madh të gjithë qytetit që tanimë është para syve të të gjithëve dhe në të cilin do vazhdohet të mbillen pemë, të ketë përkujdesje në mënyrë që të bëhet një park shembullor për qytetin e komunitetin”, shtoi ai.

 

Rama tha se, “në Librazhd nuk është vetëm parku dhe hapësirat e gjelbra, por janë të gjitha hapësirat e tjera të shërbimeve që janë transformuar si, qendrat shëndetësore, shkollat, kopshtet, çerdhet, gjithë marrëdhënia bashki-qytetarë në qendër apo periferi që është transformuar”.

 

“Ju siguroj që atë që kemi nisur me Kastriotin do ta vazhdojmë me Mariglenin dhe në 4 vitet e ardhshme do t’i katërfishojmë punët, investimet, arritjet, sepse Shqipëria po del nga një e shkuar shumë e mundimshme. Është një vend ku ka filluar të buzeqeshë dielli i shpresës e të ardhmes”, tha Rama.