Deputetja e PD, Jorida Tabaku ka folur ditën e sotme në Kuvend për çështjen e rritjes së pagave, por nuk ka lënë pa përmendur edhe situatën e zgjedhjeve të 14 majit.
Tabaku e cilëson premtimin e qeverisë për rritjen e pagave si një tentativë për të marrë pushtetin vendor.
Deputetja e PD fajëson opozitën për mospjesëmarrjen e qytetarëve në kutitë e votimit, ku thotë se Shqipëria është në katrahurë dhe mund të shpëtohet vetëm me rikthim të besimit te politika e ndryshimi.
“Për shumë prej nesh besoj se është e vështirë rifillimi i seancave aty ku e lamë duke u sjellë sikur nuk ka ndodhur gjë, pak më shumë se një javë më parë Shqipëria dhe shqiptarët humbën shansin për një rotacion lokal, ku harta kishte pak a shumë të njëjtën pamje që kishte katër vjet më parë. Këtu nuk është as vendi as momenti për të bërë analizat tona të brendshme, por sigurisht që pak gjëra dua t’i them: Është fakt që mbas zgjedhjeve të 2021 largimi i shqiptarëve nga këto troje është rritur e përshpejtuar sa jo pak herë vrikemi të justifikojmë dhe me pak siklet se çfarë ndodh; kush janë arsyet; se pse sot ka më pak shpresë dhe pse shqiptarët largohen. Kam takuar pa fund të rinj e të reja që kanë një mllef, mërzi por dhe dëshirë për ndryshim, që duan ta materializojnë dhe fatkeqësisht nuk arritën dot ta bëjnë në zgjedhjet lokale, që nuk arritën dot që atë potencial të paçliruar ta çlironin dhe sot të diskutonim për të ardhmen e jo të shkuarën.
Kur shihja fytyrat e lodhura në takimet elektorale që prisnin me valle për të dëgjuar se çdo ndodhë nesër, kur shihja moshën mesatare të rritur, kur pashë shifrat që nga mbi 122 000 votues për herë të parë, zgjodhën të shkojnë në votime as 17 mijë të tillë, pra 13.5%, atëherë e kupton që kjo pafuqi është shprehur dhe me refuzimin për të votuar. Më tej, kur pashë shifrat që thuajse 300 mijë shqiptarë kishin vendosur të qëndrojnë në shtëpi atë të dielë, atëherë e kupton që kjo pafuqi është shprehur dhe me refuzimin për të votuar. Ndërkohë, një pjesë e jona akoma pretendon supremaci. Ku është supremacia? Ku është fitorja? Ku është krenaria? Në humbje, pa nder! Ka një ndjenjë të thellë frustacioni që rinia e tyre është marrë peng nga një elitë politike që i bën të ndjehen të pafuqishëm për të ndryshuar për mirë vendin.
Janë disa barriera të ngritura apostafat, qëllimisht, për të ushqyer këtë ndjenjë apo të ngjashme si këto dhe që i shtyjnë shumë të largohen në vend që të kërkojnë ndryshimin. Barrierat për të cilat flas nuk janë të padukshme, barrierë është dhe përpjekja e vazhdueshme për të influencuar votën apo këmbëngulja e vazhdueshme për të vendosur nën presion administratën, një shtet i kthyer në njësh me partinë në pushtet, blerja e votës, dhe me një konkurrencë të pashëndetshme për demokracinë mes ministrave që me çdo kusht duhet të terheqin vemendjen e liderit e përdorin çdo burim në atë drejtim.
Në qendrat e bojatisura të qyteteve të rilindura, ku kërcenin të moshuarit, u fol për shumëçka por shumë pak se si do jetë qeverisja nesër. Pa program por me dajre, pa politika por me muzikën në gojë dhe ahengun si ndërmjetës. E në këtë logore fjalësh, kërcimesh, refuzimi për të vepruar, mungese alternative e programi, presioni e lloj-lloj turli eksperiencash erdhi dhe sigurisht dhe premtimi për rritjen e madhe të pagave. Rritja ekonomike e parashikuar nga qeveria shqiptare vitin e shkuar prej 4.84% nuk do të jetë më e tillë; pritshmëria tejet optimiste e qeverisë shqiptare në fakt do të përfundojë në 2.2%.
Të punësuarit në administratën publike e meritojnë rritjen e vonuar të pagave. Pasi qeveria në vend që të punonte për një rritje graduale të pagave dhe padyshim edhe meritokracinë ka investuar në sektorin e korrupsionit. Fatkeqësisht pabarazia në vendin tonë duket se është thellësisht një proces i ndikuar dhe drejtuar nga parlamenti i Shqipërisë. Sa e sa ligje janë miratuar këtu që promovojnë pabarazinë dhe mungesën e mobilitetit social?
E bashkë me këtë administrata publike sot ka nevojë të jetë e pakapur, ka nevojë të jetë jo-politike; ka nevojë të vazhdojë atë që nisi në 2013 po u shkel me këmbë një sistem ku promovohesh pa lidhje partiake. Kur dëgjoj prezantimet e këshilltareve bashkiakë nëpër rrethe, janë të gjithë të punësuar në OSHEE, administratë, drejtori rajonale. I gjithë shteti është i lidhur politikisht! Prandaj largohen sot dhe të rinjtë, sepse duhet patjeter të jesh dikushi, ose familjar i dikushit, ose i lidhur me dikë që punësohet në shtet, që të kesh mundësi të arrish diçka.
Besoj, se shqiptarëve u bëhet vonë për politikën. E kuptojnë shumë mirë se kur e shkuara u përdoret si shantazh për të ardhmen, se kur e shkuara u sillet si barrierë për të mos ndryshuar dhe për të mos luftuar, edhe për gabimet tona si opozitë, ata zgjedhin që të mos votojnë dhe të bojkotojnë. Gjithsesi, kjo nuk duhet të na dekurajojë nga një përpjekje e thjeshtë dhe tërësisht e ndershme për të dëgjuar shqiptarët, demokratët dhe madje edhe socialistë. Për t’i ftuar ato në një angazhim dhe për t’i mikluar që në vend të cinizmit të na ofrojë shansin për t’i përfaqësuar apo për t’u përfaqësuar. E di që shumë prej tyre janë mosbesues ndaj nesh! Nuk u vë faj! Shqipëria sot është një katrahurë ekonomike dhe politike. Besoj se ka vetëm një rrugë për ta shpëtuar vendin nga kjo katrahurë, rikthimi i besimit tek politika, rikthimi i besimit tek ndryshimi. Tek politika si instrument për të bërë mirë e për të ndryshuar çdo ditë, jo sa herë ka zgjedhje! Me çdo mundësi, qoftë dhe me kosto politike për secilin prej nesh”, tha Tabaku.