Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama u shpreh sot se, rritja e kontributeve të sigurimeve shoqërore nga rritja e pagave do të përkthehet edhe në mbështetje për pensionistët.
Në një takim elektoral nga Librazhdi, Rama tha se, “sot kemi hyrë në një kthesë historike dhe rritja e pagave është historike”.
“Kjo do të bëjë që paga mesatare nga 530 euro të shkojë në 900 euro në prill të vitit të ardhshëm. Ky është shembulli më kuptimplotë i këtij transformimi, ashtu sikundër do të shoqërohet me rritje pagash në sektorin privat”, tha ai.
Rama theksoi se, “po ashtu do të rriten kontributet për sigurimet shoqërore dhe do të kemi mundësi t’i mbështesim më mirë pensionistët, që e meritojnë më shumë se kushdo tjetër mbështejen tonë”.