Familjarët e dy personave të zhdukur në Sarandë, Leonard Thodhorit dhe Fatmir Sulovarit (Krasniqi) kanë protestuar sot para Policisë së Shtetit për gjetjen e tyre.

 

Pas protestës, familjarët e Fatmir Sulovarit (Krasniqi) janë takuar me kreun e Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, i cili i ka garantuar se kërkimet për dy të zhdukurit do të rifillojnë.

 

 “Na dha një farë shprese për të gjetur trupat. Kërkimet janë ndaluar për momentin, por do të rifillojnë prap së shpejti. U takuam me zotin Rrumbullaku, me të gjithë drejtuesit. Na dha njëfarë shprese për trupat. Na interesojnë vetëm trupat. Do fillojmë së shpejti tha ai, jemi në vazhdimësi, por do fillojnë. Nuk më dhanë shumë shpjegime, por hetimet na thanë po vazhdojnë. As për lokacionin nuk na dhanë shumë shpjegime. Ia kemi lënë në dorë policisë së shtetit. Për momentin do ta ndërpresim protestën”, tha vëllai i Fatmirit.

 

Prej 27 ditësh, fati i Leonard Thodhorit dhe Fatmir Sulovarit (Krasniqi) nuk dihet ende. Dy 46-vjeçarët dyshohet që të jenë rrëmbyer dhe vrarë në Sarandë, por policia nuk ka arritur ende të zbardhë ngjarjen.

 

Ditën e sotme para Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë familjarët e tyre kanë zhvilluar një protestë. Me pankarta në duar ku mbaheshin fotot e dy të zhdukurve u kërkua që të zbulohet se çfarë ka ndodhur me ta. Rreth 30 persona ishin mbledhur aty mëngjesin e kësaj të marte, ndërsa 3 prej familjarëve zhvilluan një takim me Drejtorin e Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku.