Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka mori pjesë në aktivitetin e zhvilluar sot në Korçë, ku u bë prezantimi publik i propozimeve arkitektonike për rizhvillimin e stadiumit “Skënderbeu” dhe rikonstruksionin e Pallatit të Sportit nga 3 studiot ndërkombëtare të përzgjedhura për fazën e dytë të Konkursit Ndërkombëtar të Projektimit.

 

Gjatë fjalës së tij në këtë aktivitet Duka tha se, “nisur nga investimet e bëra, projektet e reja që po nisim, por edhe eksperienca e fituar në organizimin e eventeve të rëndësishme ndërkombëtare, FSHF ka aplikuar dhe do të jetë pjesë e garës për të organizuar në vendin tonë finalet e Kampionatit Europian për të rinj, në vitin 2025”.

 

Ai u ndal dhe tek investimet e bëra në infrastrukturën sportive në bashkëpunim me qeverinë shqiptare.

 

“Bashkë me qeverinë nën kujdesin e Kryeministrit në një kohë rekord projektuam, ndërtuam dhe përfunduam “Elbasan Arena”, stadium nga ku nisi rruga për të shkuar në finalet e Euro “Francë 2016”. Vitet që pasuan ndërtuam edhe dy stadiume të tjera me të njëjtin bashkëpunim me qeverinë shqiptare, atë të Shkodrës dhe të Kukësit”, tha Duka.

 

Ai u shpreh se , “të tre këto stadiume kanë ndryshuar faqen e kampionateve shqiptare të futbollit. Futbollistët janë ndjerë më mirë, më të vlerësuar e kanë performuar më mirë, por edhe spektatorët e shtuar tashmë në shkallët e stadiumeve janë ndjerë më komodë e më komfort”.

 

Duka shtoi se, “në vitin 2017 filluam projektin ëndërr të Stadiumit Kombëtar, që e realizuam në dy vite dhe e inauguruam në nëntor 2019. Padyshim, një ndër veprat më të mira të realizuara ndonjëherë në Shqipëri, një stadium e një qendër atraksioni për Shqipërinë”.

 

Ai u shpreh se, “falë kësaj kryevepre 25 maji 2022 do të mbahet mend gjatë, me organizimin e finales së UEFA Conference League në Tiranë, ku Arena jonë kombëtare solli Shqipërinë në qendër të opinionit mbarëbotëror dhe në një organizim perfekt”.

 

Duka theksoi se, gjithë këto investime e kanë futur Shqipërinë në hartën e vendeve me infrastrukturë të zhvilluar, çka çoi në besimin që UEFA pati ndaj nesh duke na besuar organizimin e disa turneve ndërkombëtarë në Shqipëri dhe vetëm për vitin 2023 plot 10 të tilla.

 

Ai tha se, “me përfundimin e këtyre tre stadiumeve të reja, ndoshta dhe një të katërti në Tiranë, stadiumit “Selman Stërmasi”, marrim vendin e parë në rajon sa i përket infrastrukturës futbollistike”.

 

Duka u ndal dhe tek Ligji i Sponsorizimit ku theksoi se, “nuk do të jetë një peshë e përhershme në buxhetin e shtetit, jo një shpenzim i pakthyeshëm, por përkundrazi një investim shumë i suksesshëm”.

 

“Ky ligj do mund të hedhë themele të forta për industrinë e futbollit, duke sjellë më shumë taksa në buxhet. Edhe sot që flasim, futbolli ka një ndikim pozitiv në ekonomi me 146 milionë euro në vit. E nëse e kthejmë në një “industri të rëndë” si në shumë vende të Europës, ato taksa do të shumëfishohen”, përfundoi Duka.